SHBA-ja beson se inteligjenca ruse qëndron pas sulmit ndaj gazetarit dhe nobelistit rus, Dimitri Muratov
Inteligjenca amerikane ka vlerësuar se inteligjenca ruse qëndron pas një sulmi të fundit në Moskë ndaj fituesit të çmimit Nobel dhe njëherësh gazetarit të pavararur rus Dmitry Muratov, i cili ka folur publikisht kundër luftës së presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, redaktori i gazetës së pavarur ruse, Novaya Gazeta, u sulmua teksa udhëtonte me një tren nga Moska në Samara më 7 prill nga një sulmues i panjohur, i cili derdhi bojë vaji të kuqe të përzier me aceton në ndarjen e trenit.
“Sytë digjen tmerrësisht”, tha Muratov në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të gazetës.
Sulmuesi bërtiti, “Muratov, kjo është për djemtë tanë”, në një referencë të dukshme për forcat ruse që luftojnë në Ukrainë, shkroi ai.
“Shtetet e Bashkuara mund ta konfirmojnë se inteligjenca ruse orkestroi sulmin e 7 prillit ndaj kryeredaktorit të Novaya Gazeta, Dmitriy Muratov, në të cilin ai u spërkat me bojë të kuqe që përmban aceton”, tha një zyrtar amerikan në një deklaratë.
Zyrtari amerikan nuk dha detaje sesi SHBA-ja arriti vlerësimin e saj, dhe nuk dha detaje se cili krah i inteligjencës ruse e kishte organizuar sulmin.
Një zëdhënës i Novaya Gazeta duket se hodhi dyshime mbi vlerësimin e SHBA në një deklaratë për CNN.
“Ne kemi identifikuar sulmuesit, kështu që tani është e qartë se çfarë e pengon Ministrinë e Punëve të Brendshme ta hapë atë”, tha zëdhënësja e gazetës, Nadezhda Prusenkova.
“Ne nuk e dimë nëse ekziston një ‘njësi e qelbur’ në inteligjencë që është e përfshirë në sulme të tilla. Por ne kemi përvojë të sulmeve të tilla në redaksinë dhe nuk kishte të bënte inteligjenca në atë kohë.”
Rruga Press