Bota

SHBA: Hetim në Kongres për të dhënat presidenciale të administratës Trump

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve po heton nëse ish-Presidenti Donald Trump ka shkelur ligjin për të dhënat presidenciale, pasi në rezidencën e tij në Florida u zbuluan kuti me të dhëna presidenciale dhe sipas një njoftimi në media, ai kishte shkatërruar dokumente gjatë kohës që ishte në detyrë.

Kryetarja e Komisionit Mbikqyrës Carolyn Maloney tha në një deklaratë të enjten se ishte “thellësisht e shqetësuar që këto të dhëna nuk iu dhanë Administratës Kombëtare të Arkivave dhe të të Dhënave menjëherë në përfundim të mandatit të administratës së ish-presidentit Trump dhe duket se ato janë nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë.”

Ligjvënësja demokrate Maloney i dërgoi një letër arkivistit David Ferriero, duke kërkuar informacion për 15 kuti me të dhëna që Arkivi Kombëtar i mori në rezidencën e ish-presidentit Trump Mar-a-Lago, në Palm Beach të shtetit Florida.

Ligji për të dhënat presidenciale parashikon që dokumentat dhe të dhënat e një presidenti në detyrë dhe personelit të tij të ruhen në arkiva dhe një president në largim është përgjegjës për dorëzimin e dokumenteve në Arkivin Kombëtar në fund të mandatit.

Komisioni i Mbikëqyrjes po kërkon që t’i jepet qasje në komunikimet mes Arkivave Kombëtare dhe ndihmësve të zotit Trump në lidhje me kutitë që mungojnë si edhe informacion për përmbajtjen e tyre. Zonja Maloney ka kërkuar që ky informacion t’i jepet deri në fund të javës së ardhshme.

Lexo më shumë  Rutte kërkon ndryshimin e trajektores së luftës në Ukrainë

Të dhënat janë të rëndësishme për çdo presidencë, por ato të ish-presidentit Trump marrin një rëndësi të veçantë, pasi janë në qendër të një hetimi të një komisioni tjetër të Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, që synonte të ndalonte çertifikimin e fitores së presidentit aktual Joe Biden. Zoti Trump, një republikan, dështoi në një përpjekje të tij për të mbajtur konfidenciale disa dokumenta të Shtëpisë së Bardhë, një çështje që arriti deri në Gjykatën e Lartë.

Ish-presidenti tha në një deklaratë se pas “shkëmbimeve me frymë bashkëpunuese dhe të respektueshme”, Arkivi Kombëtar realizoi transportin nga Mar-a-Lago “të kutive që përmbanin Rekorde Presidenciale në përputhje me Ligjin e të Dhënave Presidenciale.”

“Dokumentet u dhanë lehtësisht dhe pa konflikt dhe mbi baza shumë miqësore,” tha zoti Trump në deklaratë, duke shtuar se të dhënat një ditë do të bëhen pjesë e Bibliotekës Presidenciale Donald J. Trump.

Ekzistojnë shqetësime se zoti Trump po asgjësonte të dhëna përpara se të largohej nga detyra, dhe paneli mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve ia parashtroi këto shqetësime arkivistit në dhjetor 2020, në përfundim të mandatit të zotit Trump.

Lexo më shumë  Konfirmohet përbërja e re – Komisioni i ri i Ursula von der Leyen merr miratimin përfundimtar

Gazeta “Washington Post” njoftoi së fundmi se presidenti Trump kishte “shkatërruar” edhe dokumenta delikate, edhe të tjera që ishin rutinë dhe se arkivisti ia ka referuar çështjen Departamentit të Drejtësisë për të hetuar nëse ish-presidenti ka shkelur Ligjin e të Dhënave.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka komentuar. Një referim për ndjekje penale të mundshme nga një agjenci federale ose nga Kongresi nuk do të thotë se Departamenti i Drejtësisë ka të ngjarë të ngrejë akuza dhe madje as se do të pranojë ta hetojë çështjen.

Arkivi Kombëtar pranoi në fillim të kësaj jave se përfaqësuesit e zotit Trump kishin bashkëpunuar me të dhe kishin gjetur të dhëna “që nuk ishin transferuar në Arkivin Kombëtar në fund të mandatit të zotit Trump”.

Agjencia bëri të mundur që dokumentet të transportoheshin në Uashington.

Zyra e arkivistit tha se përfaqësuesit e ish-presidentit po vazhdojnë të kërkojnë të dhëna shtesë që u përkasin arkivave.

“Nuk ka dyshim që duhet kujdes dhe vigjilencë për dokumentimin e saktë, praktikat e menaxhimit të të dhënave, ruajtjen e të dhënave dhe dorëzimin e tyre në kohën e duhur në Arkivin Kombëtar në fund të një administrate”, tha zoti Ferriero. “Dokumentat dhe të dhënat kanë rëndësi.”/VOA/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *