Opinion/Aktualitet

SHBA dhe BE, një front i bashkuar kundër Putinit

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe

Kur flasim mbi synimet e presidentit rus Vladimir Putin në lidhje me Evropën, duhen marrë parasysh shumë data. Për shembull, një pikënisje e mirë mund të jetë dhjetori i vitit 2005, një muaj pasi Angela Merkel u betua si kancelare e Gjermanisë.

Paraardhësi i saj Gerhard Schröder, një mik i ngushtë i Putinit, të cilin e quante një “demokrat pa asnjë të metë”, iu bashkua bordit të projektit “Nord Stream” të kompanisë ruse Gazprom. I projektuar për të dërguar gazin direkt nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar linjat e tranzitit në Ukrainë dhe Poloni, ky gazsjellës është shndërruar sot në një mollë sherri midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe midis vetë qeverive evropiane.

Projekti ka një domethënie të caktuar për qasjen e qëndrueshme të Gjermanisë në të ashtuquajturën Ostpolitik (politika e fokusuar drejt Lindjes), një dukuri e Luftës së Ftohtë, e bazuar në besimin se dialogu, ulja e tensioneve dhe tregtia do ta bënin Evropën mëtë sigurt, dhe do ta afronin Rusinë me Perëndimin.

Por asgjë e tillë nuk ndodhi gjatë viteve të Schröder apo Merkel në krye të Gjermanisë. Përkundrazi, Putini është sjellë siç ka dashur, pa asnjë pengesë serioze. Ai e pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, duke ia rrëmbyer krahinat e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Për turpin e Perëndimit, kundërpërgjigja ishte e dobët. Ai pushtim i dha Putinit besimin e nevojshëm për të aneksuar gadishullin e Krimesë nga Ukraina, dhe për të pushtuar Ukrainën Lindore në vitin 2014. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione – kryesisht të gabuara dhe që nuk patën asnjë efekt – nga të cilat Rusia nuk pësoi ndonjë dëm serioz.

Dhe tani, përveç largimit nga traktatet e kontrollit të armëve, Putini po tregohet edhe më agresiv,duke grumbulluar rreth 100.000 trupa ruse në kufi me Ukrainën, si të ishte gati për një pushtim tjetër edhe më të madh të një vendi të pavarur dhe sovran.

Këto veprime kanë të bëjnë kryesisht me testimin e sjelljes së Shteteve të Bashkuara,

NATO-s dhe Evropës. Ato kanë lidhje me rikthimin e epokës së pas Luftës së Ftohtë, duke e rikonfirmuar ndikimin ushtarak dhe politik të Rusisë para vitit 1989 në Ukrainë, Gjeorgji dhe vende të tjera të rajonit.

Ato pasqyrojnë një përplasje të rrezikshme të realiteteve gjeopolitike dhe historike, me të cilat administrata e presidentit amerikan Joe Biden duhet të përballet teksa përgatitet për samitin e 10 janarit në Gjenevë midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Testet dhe kërcënimet e Putinit ndaj Perëndimit, përmbahen në dy tekste të publikuara muajin e kaluar nga Kremlini. Një tekst, që përbën de fakto një ultimatum, titullohet “Traktati midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse për Garancitë e Sigurisë”. E dyta është një “Marrëveshje mbi masat për garantimin e sigurisë së Federatës Ruse dhe shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”. Synimi i deklaruar i Moskës, është të marrë pa vonesë garanci ligjore të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO.

Që të dyja këto dokumente synojnë të frikësojnë dhe ndalojnë NATO-n nga zgjerimi i mëtejshëm drejt lindjes, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Dhe kjo pavarësisht premtimeve të liderëve të NATO-s në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, se të dyja vendet mund t’i bashkohen një ditë aleancës.

Ndalemi pak tek Nenin 4 i të ashtuquajturit traktat mbi garancitë e sigurisë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të parandalojnë zgjerimin e mëtejshëm drejt lindjes

së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, dhe t’i mohojnë anëtarësimin në aleancë shteteve të ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Një gjuhe tipike e para vitit 1989. Pastaj kemi Nenin 7 i të ashtuquajturës marrëveshje mbi masat e sigurisë. Në të thuhet se anëtarët e NATO-s “nuk do të kryejnë asnjë aktivitet ushtarak në territorin e Ukrainës, si edhe në shtetet e tjera në Evropën Lindore, në Kaukazin e Jugut dhe në Azinë Qendrore”.

Çfarë ka bërë Rusia në këto vende gjatë viteve të fundit? Dhe tani në Kazakistan, ku presidenti Kassym-Jomart Tokayev kërkoi ndihmën ushtarake të Moskës për të shuar protestat popullore të shkaktuara nga rritja e çmimit të energjisë.

Reagimi i evropianëve dhe i Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre testeve ishte kaotik, dhe kjo ishte në avantazhin e Putinit. Kremlini kërkoi bisedime me Shtetet e Bashkuara, që pritet të mbahen më10 janar. Këto negociata pasojnë video-telefonatat midis Biden dhe Putin të muajit dhjetor.

Putin dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, kanë vetëm përbuzje për BE-në, prandaj kur shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borell këmbënguli që Brukseli të përfshihej në bisedime, ata refuzuan. Vetë Biden nuk këmbënguli, por ky ishte një gabim taktik i Uashingtonit dhe Berlinit.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Që të dy duhet të kishin nxitur krijimin e një fronti të bashkuar perëndimor. Ky front do ta kishte forcuar Perëndimin, aq më tepër kur shtetet baltike, Polonia dhe vende të tjera të BE-së në rajon, si Finlanda dhe Suedia, i kuptojnë shumë mirë synimet e Rusisë.

Mjerisht, vendet e mëdha anëtare të BE-së nuk po arrijnë që të vlerësojnë si duhet historinë e homologëve të tyre të Evropës Qendrore, perceptimet e tyre mbi Rusinë dhe shqetësimet e tyre mbi sigurinë kombëtare. Ky moskuptim përbën një gabim strategjik serioz, i cili e  dobëson më tej unitetin evropian.

Nga ana e tij, Kremlini preferon shumë që të angazhohet në marrëdhënie dypalëshe me Francën dhe Gjermaninë, siç ka bërë për dekada me radhë. Parisi dhe Franca po e përdorin tani diplomacinë për të zbutur tensionet, dhe pa dyshim që do ta sigurojnë Kremlinin mbi qasjen e tyre kundërshtuese ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s.

Fatkeqësisht, nuk ka rëndësi që Ministria e Jashtme gjermane drejtohet tashmë nga Annalena Baerbock, një politikane e Të Gjelbërve, e cila nuk i ka shmangur asnjëherë kritikat ndaj rekordit të tmerrshëm të të drejtave të njeriut në Rusi, dhe mbylljes kohët e fundit të organizatës joqeveritare “Memorial”.

Edhe kancelari i ri Olaf Scholz, së bashku me këshilltarin e tij për politikën e jashtme, besojnë tek dialogu me Moskën. E njëjta gjë vlen edhe për Francën dhe Italinë. Ndërsa afrohen negociatat e Gjenevës, aleanca transatlantike ndodhet në gjendjen e saj më të dobët.

Ajo ka shkelur vijat e saj të kuqe, duke iu shmangur vendosjes së sanksioneve ndaj kompanive të përfshira në ndërtimin e “Nord Stream 2”, duke u distancuar nga angazhimi i saj ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, dhe duke mos bërë asgjë kur u burgos krye-opozitari rus Alexei Navalny.

Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO thonë tani se nëse Rusia e pushton Ukrainën, do të paguajë një kosto të lartë. Rusia e ka pushtuar tashmë Ukrainën. Dhe ata thonë se Rusia nuk ka asnjë lloj vetoje, se cilat vende mund të anëtarësohen në NATO, gjë që është pa dyshim e pavërtetë.

Nëse Biden dhe udhëheqësit e BE-së nuk e kuptojnë se si Rusia po dikton të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, siguria evropiane do të dëmtohet seriozisht dhe Evropa Lindore do të paguajë një çmim të lartë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *