Bota

SHBA/ Departamenti i Drejtësisë do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë që të ndalojë ligjin e Teksasit për abortin

Administrata e Presidentit Joe Biden tha të premten se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara në një përpjekje tjetër për të frenuar një ligj që miratoi shteti i Teksasit në shtator i cili ndalon shumicën e aborteve.

Administrata e ndërmerr këtë hap pasi klinikat e Teksasit po mbeten pa alternativa për të ndaluar ligjin e iniciuar nga republikanët që ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzanisë. Ai është ligji më i ashpër kundër abortit në Shtetet e Bashkuara që prej 50 vjetësh.

Goditja e fundit erdhi të enjten në mbrëmje kur një gjykatë federale e apelit në New Orleans, me një vendim 2-1, për herë të tretë brenda disa javëve lejoi që kufizimet të qëndrojnë në fuqi.

Lexo më shumë  NATO dhe Danimarka dakordësohen për të rritur sigurinë në Arktik, Frederiksen udhëton sot në Groenlandë

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë Anthony Coley tha se qeveria federale tani do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë që ta ndryshojë atë vendim, por nuk tha se kur.

Mbështetësit e të drejtave të abortit i kishin kërkuar me ngulm administratës së presidentit Biden që t’i drejtohej Gjykatës së Lartë. Gjykata kishte lejuar që kufizimet të hynin në fuqi, por e kishte bërë këtë pa u shprehur për kushtetueshmërinë e ligjit.

Që kur ligji hyri në fuqi më 1 shtator, gratë e Teksasit kanë shkuar në klinika aborti në shtetet fqinje, disa herë duke udhëtuar me orë të tëra me makinë deri në mes të natës. Ligji nuk bën përjashtim për rastet e përdhunimit ose incestit.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit e quajti vendimin e së enjtes mbrëma nga Gjykata e 5 -të e Apelit e Shteteve të Bashkuara një “dëshmi se ne kemi marrë vendimin e duhur.”

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland e ka quajtur ligjin e Teksasit “antikushtetues” dhe ka paralajmëruar se ai mund të bëhet model për shtete të tjera nëse nuk rrëzohet./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *