Shaqiri: Shpresoj që një ditë Kosova të kualifikohet, ka shumë futbollistë të talentuar
Xherdan Shaqiri është i lumtur që Zvicra u kualifikua në Europianin e ardhshëm.
Fantazisti kosovar i Kombëtares helvete ka thënë pas ndeshjes, se ka qenë i vështirë ky kualifikim, por është e rëndësishme që janë në “Euro 2024”.
“Kam dashur të luaj dhe ta ndihmoj ekipin. Jam i lumtur që isha në gjendje të luaj nga fillimi. Ndoshta nuk ishte ndeshja ime më e mirë. Fusha nuk ishte më e mira po ashtu. Asnjëherë nuk është e lehtë të kualifikohesh në ngjarjet e mëdha”, ka thënë fillimisht Shaqiri, ndërsa u pyet edhe për shanset e Kosovës që në një të ardhme të kualifikohet në Europian ose Botëror.
“Shpresoj që një ditë Kosova të kualifikohet. Duhet të ketë ambient të mirë mes lojtarëve. Të rregullohet stadiumi, sepse është turp të shikojë bota atë fushë. Dhe kur të rregullohen këto gjëra të vogla, Kosova do të kualifikohet, sepse ka shumë futbollistë të talentuar”.
Rruga Press