Art & Kulturë

Seri koncertesh solidarizuese me Ukrainën

Ukrainasit u befasuan nga një koncert i improvizuar më 9 mars në sheshin “Maidan” në Kievin e sulmuar: Orkestra Klasike e Kievit, me pallto të trasha në të ftohtin e acartë, luajti “Odën e Gëzimit” të Ludwig van Beethoven nga Simfonia e Nëntë, me vargun e famshëm: “Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër, aty ku qëndron krahu juaj i butë”. Ishte një aksion për paqen, një thirrje për njerëzimin, ka treguar dirigjenti Merman Makarenko.

“Oda e Gëzimit” nuk është vetëm trashëgimi kulturore shpirtërore e UNESCO-s, por edhe himn evropian. Më 10 mars ai u luajt gjithashtu në shumë radiostacione evropiane si një akt solidariteti për paqen në Ukrainë.

Pavarësisht thirrjeve për bojkot kundër artistëve dhe muzikantëve rusë, një numër në rritje i njerëzve po bëjnë thirrje që të mos përjashtohen artistët dhe muzikantët rusë nga jeta kulturore.

Muzikantë të shumë kombësive luajnë së bashku në orkestrat gjermane, duke përfshirë si ukrainas ashtu edhe rusë, të cilët janë të përkushtuar të mbajnë qëndrim kundër luftës.

Një koncert solidariteti me Ukrainën është planifikuar për 15 mars në Filharmoninë e Berlinit, ku do të marrin pjesë tenori meksikan Rolando Vilazon, violinistja me origjinë nga Gjeorgjia Lisa Batiashvili dhe pianisti rus Kiril Gerstein, së bashku me korin e “Orkestres Sinfonike të Gjermanisë” dhe Rundfunkchor Berlin.

Të ardhurat do t’iu dhurohen organizatave që ofrojnë ndihmë për Ukrainën. “Artistët e njohur kanë bashkuar forcat për të dërguar një sinjal gjerësisht të dëgjueshëm për paqen dhe lirinë dhe për të protestuar kundër sulmit ndaj Ukrainës në shkelje të ligjit ndërkombëtar”, ka njoftuar Orkestra Simfonike e Gjermanisë. Claudia Roth, ministre e shtetit për Kulturën, është ftuar si folëse në këtë aktivitet.

Drejtori artistik i Festivalit të Salzburgut, Markus Hinterhäuser, është kundër një bojkoti të përgjithshëm të muzikantëve rusë. Artistët rusë duhet të mbështeten, në vend që të përjashtohen, ka thënë ai.

Në një intervistë, ai gjithashtu argumentoi se nuk mund të kërkohet që të gjithë artistët të mbajnë një qëndrim pro ose kundër Putinit. “Ne as nuk e dimë se në çfarë situate janë shumë artistë. Nuk ka të bëjë me oportunizëm apo përkulje ndaj Putinit në asnjë mënyrë, mund të jetë gjithashtu frikë e zhveshur për jetën”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo rast duhet të konsiderohet individualisht.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, shumë orkestra dhe organizatorë ndanë rrugët me muzikantët rusë. Rastet më të spikatura ishin dirigjenti Valery Gergiev dhe ylli, sopranoja Anna Netrebko, sepse ata nuk u distancuan qartë nga pushtimi.

Netrebko anuloi shumë koncerte me dëshirën e saj. Ajo nuk do të interpretojë, sipas një marrëveshjeje të përbashkët, në Festivalin e Pashkëve të Filharmonisë së Berlinit në Festspielhaus Baden Baden. Megjithatë, Festivali do të vazhdojë të fokusohet në Rusi siç është planifikuar, ka thënë zëdhënësja e Filharmonisë së Berlinit.

Që nga shtatori i vitit 2021, Filharmonia e Berlinit ka qenë një partner muzikor i OKB-së. Dirigjenti kryesor rus, Kiril Petrenko, foli kundër veprimeve të Putinit menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në një videomesazh që shoqërohet nga një thirrje për donacione në faqen e saj kryesore, orkestra luan “Silent Music” të kompozitorit ukrainas Valentin Silvestrov.

Orkestra Simfonike e Bambergut gjithashtu synon të dërgojë një shenjë solidariteti me muzikën e kompozitorit avangardë ukrainas. Muzikantë nga më shumë se 20 vende, duke përfshirë rusë dhe ukrainas, luajnë me orkestrën.

Këto ditë orkestra hap koncertet e saj me “Lutja për Ukrainën” të Silvestrovit. “Me këtë luftë, parimi kryesor i lirisë dhe i vetëvendosjes së njerëzve kudo në Evropë është nën sulm”, ka thënë kryedirigjenti çek Jakub Hrusa. “Lutja për Ukrainën” u shkrua në vitin 2014, kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Eduard Resatsch, i lindur në Ukrainë, violonçelist i orkestrës së Bambergut, kompozoi “Ukraina: viktimave të luftës” në reagim ndaj pushtimit rus të vendit të tij, ku ende jeton familja e tij.

Shoqata Gjermane e Orkestrave ju kërkon anëtarëve të saj që ta fillojnë çdo koncert me veprën e Resatsch-it në shenjë proteste kundër luftës. “Duke ditur se ka këtë shenjë solidariteti nga shumë orkestra, më mbush me mirënjohje të madhe”, ka thënë Resatsch.

Më 24 shkurt, dirigjentja ukrainase Oksana Lyniv dhe Orkestra Simfonike Rinore e Ukrainës ishin ndër të parët që organizuan një protestë muzikore kundër sulmit në Ukrainë.

Orkestra Federale e Rinisë së Gjermanisë, e cila shpesh ka luajtur me muzikantë ukrainas, po bën thirrje për donacione për orkestrën partnere të saj, veçanërisht para dhe ilaçe.

“Ne ftuam Orkestrën Simfonike Rinore të Ukrainës të interpretojë në Festivalin e Bachut në qershor. Megjithatë, për momentin, nuk është e parashikueshme nëse dhe si do të mbahet përfundimisht një koncert i orkestrës”, ka thënë drejtori artistik i Festivalit, Michael Maul.

Themeluesja dhe dirigjentja e Festivalit, Oksana Lyniv, në Festivalin e Bejrutit vitin e kaluar qe gruaja e parë në historinë e festivalit që qëndroi në podiumin e dirigjentit.

“Ndoshta mund të marrim disa anëtarë të orkestrës së bashku me korin e djemve të Shën Thomait” ka thënë Michael Maul, duke shtuar se dëshiron t’i ndihmojë të rinjtë e talentuar. “Disa anëtarë të orkestrës aktualisht po mbrojnë armën e tyre në dorë, të tjerët fshihen në bunkerë, të tjerë janë ende në arrati – Orkestra Simfonike Rinore Sllovene u ka ofruar atyre strehim në Slloveni”, ka treguar Maul.

“Bachfest” planifikon të transmetojë një koncert të ansamblit “Calmus” nga Kisha e Shën Thomait në kanalet e veta më 21 mars, në ditëlindjen e Johann Sebastian Bach-ut. “Të ardhurat e koncertit do t’iu dhurohen Orkestrës Simfonike Rinore të Ukrainës dhe familjeve të tyre”, ka treguar Maul.

(Marrë nga DW)

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *