Serbia, Venezuela evropiane
Nga Dragan Shormaz për The Geopost
Fillimi i stuhishëm i vitit 2026 i ka nxjerrë në pah, deri në ekstrem, përmasat e rrënimit dhe të qorrsokakut strategjik në të cilin ndodhet Serbia nën kthetrat e regjimit të Vuçiçit. Arrestimi i Nikolas Maduros dhe vënia në përdorim operacional e qasjes së re, robuste të Trumpit në përballjen me boshtin global të së keqes të përbërë nga autokratë të korruptuar dhe krerë të karteleve të drogës të sponsorizuara nga shteti, ka shkaktuar një nervozizëm të paprecedentë te vetë Vuçiçi dhe cerberët e tij besnikë. Kështu, Trumpi – të cilin pas fitores së tij zgjedhore e quanin “serb” – pothuajse brenda natës u shndërrua në hajdut botëror, pirat dhe shkatërrues të së drejtës ndërkombëtare.
Ajo që është më hipokrite në vajtimin e përgjithshëm të regjimit për fatin e partnerit strategjik venezuelian të Vuçiçit është fakti se ata nuk nxorën asnjë fjalë për shkeljet shumë më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe krimet masive që regjimi i Putinit ka kryer në vitet e fundit përmes agresionit brutal kundër Ukrainës. Nga ky rast shihet qartë se radikalët e Vuçiçit kolektivisht ëndërronin ushtrinë ruse në Danub, shpërbërjen e NATO-s dhe të partneritetit veriatlantik të vendeve demokratike dhe të civilizuara. Në vend të kësaj, Trumpi tregoi qartë vendosmërinë për t’u përballur me boshtin e së keqes në mbarë botën, duke shpërndarë ëndrrën e mbështetësve të tij të deridjeshëm të zjarrtë në Serbi.
Megjithatë, ajo që është më shqetësuese në rastin e Serbisë është se, pas rrëzimit të idesë së rendit botëror në të cilin kishte investuar gjithë kapitalin e tij politik, vetë Aleksandar Vuçiçi ka humbur plotësisht busullën, si dhe atë pak racionalitet politik dhe mendor që kishte më parë. Dhe kjo e vë seriozisht në rrezik fatin e gjithë Serbisë dhe të ardhmen e saj. Pse ndodh kjo? Pse Serbia ishte i vetmi shtet evropian që mori pjesë në inaugurimin e Maduros, i cili nuk njihet si president i Venezuelës nga shtetet demokratike? Ana Brnabiç, e pranishme aty, u përpoq me atë rrëfim bizarr për një ushtar venezuelian që e përshëndet Vuçiçin duke rrahur gjoksin e tij (jo)heroik, të theksonte “dashurinë e madhe” mes Maduros dhe Serbisë. Meqë në politikë dhe në marrëdhënie ndërkombëtare gjithçka është interes, le të pyesim: çfarë interesi mund t’i lidhë Maduron dhe Vuçiçin, nëse e dimë se nuk është nafta?! Serbia nuk blen naftë nga Venezuela! Duke pasur parasysh se pothuajse nuk kalon asnjë arrestim i trafikantëve që transportojnë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës pa u arrestuar edhe ndonjë kriminel nga Serbia, ndoshta DEA amerikane e di përgjigjen e kësaj pyetjeje?! Koha do ta tregojë të vërtetën.
Në fjalimin e tij në fund të vitit të kaluar, Vuçiçi paralajmëroi shpenzimin e miliardave të reja për armatosjen e ushtrisë (që përfshin edhe “haraçin” korruptiv për regjimin e tij), gjë që përfaqëson një shpenzim krejtësisht joefikas të mjeteve. Falë këmbënguljes në konceptin e tejkaluar të neutralitetit ushtarak, Serbia sot është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka asnjë aleat të vetëm! Dhe është e qartë për këdo se një shtet i tillë dhe ushtria e tij janë pa asnjë fuqi reale, si dhe pa çfarëdo mundësie për të mbrojtur realisht interesat kombëtare që u janë besuar.
Ajo që ishte gjithashtu domethënëse në fjalimin e Vuçiçit është se ai nuk e përmendi asnjëherë BE-në, as premtimin e tij se deri në fund të vitit 2026 do të përfundonte gjithçka që nevojitet për anëtarësimin e Serbisë në Union. Ky është një sinjal i qartë se Vuçiçi, në emër të Serbisë, ka zgjedhur vetëizolimin dhe ndërprerjen e përmbushjes së mëtejshme të kushteve për anëtarësim në BE. Për qytetarët e Serbisë kjo do të thotë edhe më pak demokraci, media të lira dhe garë të ndershme demokratike, e më shumë varfëri, prapambetje ndaj botës demokratike të zhvilluar dhe propagandë toksike ruse me synimin për ta shndërruar Serbinë në një Venezuelë evropiane.
Vuçiçi gjithashtu nuk përmendi se rritja ekonomike e Serbisë në vitin 2025 ishte mezi 2 për qind, në vend të 4–4.5 për qind sa ishte projektuar. Që Serbia të arrijë nivelin e zhvillimit të një Sllovakie, do të duhej të realizonte rritje vjetore minimale prej 7 për qind gjatë 20 viteve të ardhshme – dhe kjo pa inflacion, i cili sot e rendit Serbinë ndër pesë vendet më të këqija në Evropë për nga fuqia blerëse e qytetarëve, dhe me supozimin se Sllovakia nuk do ta rrisë rritjen e saj ekonomike gjatë këtyre 20 viteve! Pra, pa tregun evropian, pa fondet evropiane dhe pa investimet evropiane, Serbia do të regressë, pa asnjë shans për të arritur zhvillimin ekonomik për të cilin flet Vuçiçi. Megjithatë, për shumicën në Serbi tashmë është bërë e qartë se Vuçiçi ose gënjen, ose flet për gjëra për të cilat nuk di asgjë.
Mungesa e vizionit strategjik për zhvillimin e vendit dhe ekzistenca e një besimi të verbër në iluzionet radikale të viteve ’90 të shekullit të kaluar dëshmohen edhe nga paralajmërimet e reja për ndërtimin e një naftësjellësi drejt Hungarisë për të vazhduar furnizimin me naftë ruse, ndonëse institucionet e BE-së kanë marrë një vendim të qartë që deri në fund të vitit 2027 vendet anëtare të ndalojnë plotësisht blerjen e naftës dhe gazit nga Rusia. Këtë e dëshmon edhe fakti se importi i gazit rus në BE në vitin 2025 ra me plot 44 për qind, duke arritur një nivel më të ulët se importi i gazit nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Çmimet e gazit në tregun evropian në dhjetor 2025 ishin rreth 10 për qind më të ulëta sesa në dhjetor 2011. Blerja e gazit rus në Serbi nuk është transparente dhe ne nuk e dimë çmimin e vërtetë, por jam i sigurt se ai nuk është më i ulët sesa kur BE blen në tregun e hapur dhe të lirë.
Serbia nën regjimin e Aleksandar Vuçiçit përfaqëson një shtet pa asnjë perspektivë reale dhe pa shanse për të kapur hapin me fqinjët e saj evropianë dhe të NATO-s. Kjo reflektohet jo vetëm në standardin e jetesës së popullsisë, por edhe në prapambetjen teknologjike dhe mungesën e kapaciteteve të shtetit për t’u përballur me sfidat moderne të sigurisë. Një Serbi e tillë mund të përjetojë vetëm të njëjtin fat që e pësoi në vitet ’90, të cilat i shpërdoroi në luftëra të humbura dhe vendime strategjike të gabuara.
Vetëm demokratizimi i plotë, heqja dorë nga lidhjet toksike me Rusinë dhe Kinën, si dhe anëtarësimi në BE dhe NATO, mund ta shndërrojnë Serbinë në një shoqëri evropiane të shëndetshme dhe normale. Gjithçka tjetër janë iluzione që do t’i paguajmë shtrenjtë në të ardhmen e afërt që na pret.
Rruga Press

