Serbia nuk heq dorë nga nafta ruse, nënshkruan marrëveshje me Hungarinë për tubacionin
Qeveria e Serbisë tha se synon të fillojë ndërtimin e naftësjellësit 128 km ndërkufitar me Hungarinë, në vlerë prej 150 milionë euro deri në vitin 2025.
Pasi të funksionalizohet, kapaciteti do të jetë rreth 5 milionë tonë naftë në vit, tha ministrja e Energjisë e Serbisë, Dubravka Djedovic Handanovic në një deklaratë për shtyp të martën pas Forumit Ballkanik në Budapest.
Serbia e merr naftën e saj nëpërmjet tubacionit të naftës JANAF nga Kroacia, por këto dërgesa ranë nën sanksionet e BE-së pasi blloku vendosi kufizime kundër Rusisë në vitin 2022 për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.
Tubacioni i ri do t’i sigurojë Serbisë naftën ruse të Urals përmes tubacionit të naftës Druzhba që kalon përmes Ukrainës në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.
Serbia dhe Hungaria nënshkruan marrëveshjen për tubacionin ndërkufitar që do të shtrihet nga qyteti verior serb i Novi Sadit deri në Algyo, në Hungari vitin e kaluar.
Në nëntor, media lokale citoi Djedovic-Handanoviç të ketë thënë se puna e ndërtimit në territorin serb do të kryhet nga operatori shtetëror i magazinimit të naftës Transnafta.
Serbia e Aleksandar Vuçiqit dhe Hungaria e Viktor Orbanit vazhdimisht kundërshtojnë politikat e BE-së për sanksionimin e Rusisë sepse të dyja vendet gëzojnë raporte të mira me Vladimir Putinin.
Më 21 janar 2021, Hungaria u bë vendi i parë i Bashkimit Evropian që miratoi vaksinën ruse Sputnik V COVID-19. Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Hungaria, si një nga vendet e BE-së, vendosi sanksione të vogla ndaj Rusisë, ndërsa Rusia i shtoi të gjitha vendet e BE-së në listën e “kombeve jomiqësore”.
Për dallim nga Hungaria, Serbia nuk i ka vendosur asnjë sanksion Rusisë edhe pse është vend kandidat i Bashkimit Evropian. /thegeopost/
Rruga Press