Bota

Mijëra studentë serbë protestojnë për të kërkuar përgjegjësi për incidentin në Novi Sad

Studentët, të cilët prej javësh kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e Beogradit, protestuan dje për të kërkuar llogaridhënie për shembjen e strehës në stacionin e trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 njerëz.

Rrugët afër sheshit ”Slavija”, në qendër të Beogradit, u mbyllën për qarkullimin e automjeteve derisa mijëra njerëz u mblodhën për të protestuar, duke e mbushur sheshin dhe pjesët përreth tij.

Protestës së studentëve iu bashkuan edhe fermerë, aktorë dhe mësimdhënës.

Demonstrata filloi pasdite me 15 minuta heshtje për viktimat e shembjes së strehës muajin e kaluar, ku humbën jetën 15 njerëz dhe u lënduan rëndë dy të tjerë.

Shumë nga pjesëmarrësit ndezën dritat e telefonave dhe i mbajtën lart.

Organizatorët kërkuan nga qeveria t’i gjejë dhe t’i ndjek penalisht të dyshuarit që sulmuan demonstruesit gjatë protestave që përshkuan Serbinë në ditët pas shembjes së strehës.

Lexo më shumë  Dokumente të rreme: Si Rusia po përpiqet të mashtrojë me identitetin e ushtarëve të Koresë së Veriut

Organizatorët gjithashtu kërkuan lirimin e aktivistëve të ndaluar gjatë protestave të mëparshme dhe shfuqizimin e procedurave ligjore kundër tyre.

Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie.

Disa nga protestat u shndërruan në dhunë, por nuk u raportua për dhunë gjatë demonstratës në Beograd më 22 dhjetor.

Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksandar Vuçiq, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në katër universitete shtetërore, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar në solidaritet me protestat.

Studentët gjithashtu kanë marrë pjesë në protesta ditore, duke e bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë.

Lexo më shumë  NASA gati për fluturimin historik në atmosferën e Diellit – a do t’i mbijetojë anija temperaturave ekstreme?

Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive kineze.

Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehen prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi më 21 nëntor se 11 persona u arrestuan pasi u gjetën përgjegjës për shembjen.

Mes tyre ishin ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoresha e Infrastrukturës Hekurudhore, Jelena Tanaskoviq, shkruan Radio Evropa e Lirë.Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burgim nëse shpallen fajtorë për akuzat për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, rrezikimin e publikut dhe punime të paligjshme ndërtimi. /REL/

YouTube player