KryesoreOpinion/Aktualitet

“Serbia me qejf do të bashkohej me nënën Rusi sikur të mos ishte Rumania në mes – e tash po pengon edhe kjo Ukraina”

Shkrimtari serb Bora Qosiq mbi dashurinë irracionale të serbëve për rusët: mendësinë serbe, sipas Qosiqit, e komplikon frustrimi i shkaktuar nga pushtimi shumëshekullor, dhe ndërsa të tjerët bënë hapa drejt europianizimit, serbët nga pushtuesit turq mësuan vetëm përdorimin e hamamit.

Bora Qosiq është shkrimtar serb. Por kjo nuk e përshkruan mjaftueshëm Qosiqin. Me një Qosiq tjetër ai e ndan mbiemrin, por jo edhe qëndrimet. Bora Qosiq është kundërshtar i madh i nacionalizimit serb qe së paku 30 vjet, në mos më gjatë. Ai u lind më 1932 në Zagreb, kreu shërbimin ushtarak jugosllav në Prizren, jetoi në Beograd, iku në Rovinj të Kroacisë, sepse nuk e duronte mykun e diktaturës së Sllobodan Millosheviqit, pastaj, pas Rovinjit Bora Qosiq u vendos në Berlin. Atje jeton ende, në moshë të shtyrë, më 5 prill i mbush 90-vjet. Si përherë Bora Qosiq është i kthjellët me mendime dhe vlerësime, por edhe sarkastik e ironik. Këtë e dëshmon në një shkrim në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” mbi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë. Të dy vendet, sipas Qosiqit, vuajnë nga kompleksi imperial, të cilit realiteti qëmoti i ka dalë nga dora.

Bora Qosiq thekson se në çastet vendimtare historike rusët nuk u kanë ndihmuar serbëve. Në shekullin e 19-të, kur populli serb u ngrit kundër pushtuesve turq, në Moskë u deponua një kërkesë për ndihmë me armë, por serbët nuk morën asgjë, ndonëse ambasadori i tyre i parë në Moskë ishte një pop, Mateja Nenadoviqi. As në Luftën e Dytë Botërore avionët sovjetikë nuk u erdhën në ndihmë partizanëve të Josip Broz Titos.

Lexo më shumë  ShBA lejon blerjen e helikopterëve “Black Hawk” për FSK-në, eksperti i Octopus: Arritja më e madhe për Kosovën dhe mesazh i qartë për Serbinë

Qosiq thotë se nuk ka shpjegim për dashurinë e serbëve ndaj rusëve. Nuk bëhet dallim mes ushtarëve sovjetikë që më 1944 çliruan Beogradin dhe pastaj ua merrnin njerëzve sahatet nga dora dhe kundërshtarëve të revolucionit të Leninit, të cilët ikën nga Bashkimi Sovjetik. Qosiq shkruan se në rininë e tij i është dukur se fjala rus është profesion ose zejtari. Fryma ruse depërtoi përmes ndjeshmërisë së letërsisë së madhe dhe serenatave të këngëtares ruse Olga Janaçevska. Në Beograd është i varrosur edhe gjenerali i carit, Pjotër Nikollajeviq Vrangel. Mes dy luftërave botërore Beogradi u popullua nga balerinat e emigruara ruse, regjisorët e teatrit, piktorët, inxhinierët dhe mjeshtrit e tipografisë. Zonjat ruse, me të cilat takohej nëna ime, shkruan Qosiq, na kanë mësuar si të pimë çaj.

“Por serbët janë popull irracional si pothuaj asnjë tjetër. Gjaku i tyre i hajdutëve, sjellja e tyre ambivalente, e trashëguar nga pushtimi i gjatë osman, heroizmi i tyre që s’njeh dyshim si dhe humori i tyre dashakeqës, krejt këto te ky popull kanë shkaktuar paqartësi, sjellje të habitshme, të cilat shpesh i kanë bërë dëm, por nejse!”, shkruan Qosiq, i cili nuk tregohet aq i befasuar, fundja, nënvizon ai, në Beograd para 100 vitesh nisi lëvizja e surrealizmit.

Mendësinë serbe, sipas Qosiqit, e komplikon frustrimi i shkaktuar nga pushtimi shumëshekullor, dhe ndërsa të tjerët bënë hapa drejt europianizimit, serbët nga pushtuesit turq mësuan vetëm përdorimin e hamamit. Nga këtu mbase buron dëshira për dëmshpërblim, shton Qosiq. Sipas tij ashtu siç thotë Putini se nuk ka ukrainas, sepse ata në fakt janë rusë, edhe serbët mendojnë se kroatët janë vetëm serbë të maskuar, ky është mbase thelbi i përbashkët i popullit të vogël më atë tjetrin, të madhin.

Qosiq përkujton se mbarë familja Millosheviq gjeti strehim në Moskë. Atje diku fshihet edhe gjenerali i armatës që para 30 vitesh nisi luftën e përgjakshme në Ballkan. Pa e përmendur me emër Emir Nemanja Kusturicën, Qosiq njofton se një regjisor i njohur serb është bërë bash në këtë moment drejtor i teatrit kryesor të armatës ruse. Qosiq nuk e trajton më tutje këtë temë, por gjithsesi do të mund të shtrohej pyetja: pas Kusturicës çka do të bëhet me mikun e tij Peter Handke? Ndoshta e emëron Vladimir Putini guvernator rus në Mariupol të Ukrainës. “Serbia”, shkruan Qosiq, “me qejf do të bashkohej me nënën Rusi sikur të mos ishte Rumania në mes – e tash po pengon edhe kjo Ukraina”.

Përgatiti Enver Robelli, botuar në Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *