Serbia me 98 sulme, Rusia me 48 gazetarë të arrestuar, ndërsa Kina me rekord botëror – liria e medias në pikë kritike
Gjashtëdhjetë e shtatë gazetarë janë vrarë gjatë 12 muajve të fundit për shkak të punës së tyre, sipas raportit të Reporterëve pa Kufij (RSF), që e cilëson vitin 2025 si “vit vdekjeprurës për gazetarët”.
Në qendër të raportit këtë vit dalin Kina, Rusia dhe Serbia, të cilat përmenden si ndër vendet më represive dhe më të rrezikshme për profesionistët e medias.
Sipas RSF, Kina vazhdon të kryesojë listën botërore të burgosjes së gazetarëve, me 121 profesionistë të medias të arrestuar aktualisht.
Raporti thekson se regjimi autoritar i Pekinit përdor ndalime arbitrare, survejim digjital dhe akuza të fabrikuara për të heshtur çdo zë kritik.
Kina mbetet “burg i hapur” për gazetarët, shkruan RSF.
Rusia radhitet e dyta në listën globale me 48 gazetarë të arrestuar, përfshirë 26 ukrainas.
Raporti dokumenton se ushtria ruse vazhdon të shënjestrojë gazetarë në Ukrainë, duke i bërë zonat e konfliktit edhe më vdekjeprurëse.
Kremlini, përmes ligjeve të reja të “agjentëve të huaj” dhe censurës ushtarake, ka krijuar një klimë represive për mediat e pavarura dhe gazetarinë e huaj.
RSF e quan Rusinë “një nga makinat më të rrezikshme shtetërore kundër informacionit të lirë”.
Raporti i këtij viti zbulon një situatë alarmante në Serbi, e cila regjistroi 98 sulme fizike ndaj gazetarëve në më pak se një vit – 91 prej tyre vetëm pas 1 janarit 2025.
Sipas RSF, rreth gjysma e sulmeve janë kryer nga policia, ndërsa klima e armiqësisë ndaj mediave është nxitur drejtpërdrejt nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i përfshirë këtë vit në listën e RSF si “kërcënues i lirisë së shtypit”.
Sulmet u përshkallëzuan pas shembjes tragjike të një strehimi në një stacion treni në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, duke shkaktuar protesta masive kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Zona të tjera të rrezikshme: Gaza, Ukraina, Sudani dhe Meksika
43% e gazetarëve të vrarë gjatë vitit të kaluar janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht nga forcat izraelite.
Në Ukrainë, gazetarët ukrainas dhe të huaj mbeten objektiv i ushtrisë ruse.
Sudani dhe Meksika shfaqen si zona tepër vdekjeprurëse për shkak të luftës dhe krimit të organizuar.
135 gazetarë rezultojnë të zhdukur në 37 vende, përfshirë edhe 5 nga Kosova që prej luftës 1998–1999.
20 gazetarë mbahen peng, kryesisht në Jemen, Siri dhe Mali.
Kosova shënoi rënien në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2025, duke u renditur në vendin 99 nga 180 vende.
Mali i Zi u rendit më së miri në rajon.
Rruga Press

