“Serbia ka shkelur Marrëveshjen”, “BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës” – deklaratat pas votimit në Komitetin e Ministrave të KiE-së
Shkelja e marrëveshjes së Ohrit me rastin e votimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërcënimi ndaj atyre që votuan në favor të Kosovës ka ngjallur reagimin e zyrtarëve vendorë dhe më pas atyre të Bashkimit Evropian.
Një ditë më parë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të veprojë ndaj Serbisë e jo vetëm të mbajë shënim pasi kjo e fundit shkeli marrëveshjen e Ohrit.
“Duke votuar kundër dhe duke kërcënuar ata që votuan në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia ka shkelur Marrëveshjen Themelore”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.
“Për më tepër, shefi i diplomacisë Ivica Daçiq deklaroi se Serbia dëshiron ndarjen e BeH. Kjo nuk është një gjë që BE-ja ta dijë, por ta dënojë ashpër”, vijon tutje postimin zëvendësministri i Jashtëm.
E zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.
“Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, ka thënë Stano për REL.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiqi nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në lidhje me takimin e 2 majit në Bruksel që pritet të mbahet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se takimet e radhës tash e tutje gjithmonë do ta kenë në fokus zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Takimi i radhës tash e tutje gjithmonë do ta ketë në fokus zbatimin e marrëveshjes. Ka qenë një ndërmarrje shumë e madhe që e ka mundësuar një dakordim të tillë, do të mundësohet zbatimi i plotë i saj. Në kuadër të asaj marrëveshjeje, është një çështje që kërkon urgjencën, dhe në të njëjtën kohë e ka edhe në tekst fjalën “urgjencë”, është ajo për të “zhdukurit me dhunë” dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Kundër anëtarësimit të Kosovës kanë votuar Hungaria, Rumania, Serbia, Qipro, Gjeorgjia, Spanja dhe Azerbajxhani.
Kanë abstenuar Ukraina, Greqia, Sllovakia, Moldavia, Bosnja dhe Hercegovina, ndërkaq, shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim.
Ndërsa pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.
Rruga Press