Serbia blen raketa nga Rusia, Presidenca e Kosovës: Po rrezikohet paqja në Ballkan
Serbia duket se do të furnizohet sërish me pajisje ushtarake nga Rusia. Nisja e bisedimeve për sigurimin e armatimeve të reja kryesisht me raketa, ka shkaktuar reagimin e Prishtinës. Kryekëshilltari i presidentes Osmani, Blerim Vela, ka thënë se ky akt i Serbisë po e rrezikon edhe më tej paqen në Ballkan.
Dy vjet pasi u paralajmërua se Serbia do të ndërpresë furnizimin me armë, zyrtarët serbë janë duke kontraktuar dërgesa të reja nga Rusia.
Këto marrëveshje vijnë në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.
Mediet vendase bëjnë me dije se Serbia ka në plan të kompletojë një ombrellë raketore në vitin 2022 duke blerë armë të reja që i ofrojnë ushtrisë së saj mbrojtje nga lartësia.
Ndër të tjera theksohet se këto raketave me rreze të mesme dhe të gjatë do të blihen nga Rusia e Kina.
Presidenca e Kosovës ka reaguar pasi Serbia ka vazhduar me armatosjen e saj nga Rusia, kësaj radhe duke blerë edhe raketa nga Moska.
Kryekëshilltari i presidentes Osmani, Blerim Vela, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ka thënë se ky akt i Serbisë po e rrezikon edhe më tej paqen në Ballkan.
Sipas tij, Rusia po e përdor Serbinë për të rivendosur ndikimin e saj kundër SHBA-ve dhe se ky akt siç thotë ai duhet të sanksionohet.
Ai thotë se blerja e vazhdueshme e armëve ruse nga Vuçiç rrezikon më tej paqen në rajonin tonë.
Ashtu si Bjellorusia, Serbia është mjeti i Rusisë për të rivendosur sferat e influencës kundër SHBA-së, BE-së dhe NATO-s që ngjajnë me periudhën e Luftës së Ftohtë.
Si e tillë, blerjet ushtarake të Serbisë duhet të sanksionohen.
Rruga Press