KryesoreOpinion/Aktualitet

“Loja e dyfishtë” e Vuçiqit me Bashkimin Evropian

Nuk ka pasur surpriza këtë të dielë më 17 dhjetor në Beograd. Zgjedhjet legjislative serbe panë triumfin e Partisë Progresive Serbe, që u angazhua nën listën “Serbia nuk duhet të ndalet”, duke fituar 46.7% të votave dhe 127 nga 150 vendet në Parlament.

Sipas këtyre rezultateve të para zyrtare, partia e Aleksandar Vuçiqit, e rizgjedhur në vitin 2022, ishte shumë përpara opozitës së udhëhequr nga lista e koalicionit “Serbia kundër dhunës” që mori 23.5% të votave. SNS-ja doli gjithashtu e para në garën për kryebashkiak të Beogradit me 44.5% të votave, përpara koalicionit opozitar që mori 38.2%.

Zgjedhjet legjislative dhe komunale, megjithatë, u dëmtuan nga parregullsi të shumta, sipas Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi. Sipas vëzhguesve të kësaj OJQ-je të krijuar në vitin 2016, “parregullsi që cënonin drejtpërdrejt rezultatet e zgjedhjeve janë regjistruar në 5% të vendvotimeve gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe në 9% të vendvotimeve gjatë zgjedhjeve në Beograd”. Të tjerë flasin veçanërisht për “fletë votimi të mbushura paraprakisht”, “migrim të organizuar të votuesve” apo edhe “presion” dhe “ryshfet”.

Akuzat për mashtrim u konfirmuan nga një raport paraprak i misionit vëzhgues ndërkombëtar (përfshirë OSBE-në, Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës), ku përmendet “blerja e votave” dhe “mbushja e kutive të votimit”.

Të hënën në mbrëmje, disa mijëra demonstrues u mblodhën para selisë së komisionit zgjedhor për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve komunale në Beograd, të cilësuara si më të kontestuarat.

Korrupsioni dhe dhuna politike

Klima e dhunës politike rreth zgjedhjeve në Serbi nuk duket se po përmirësohet. “Fatkeqësisht, edhe kësaj radhe jemi përballur me një frikë të madhe në Serbi… Jetojmë në një vend dhune, korrupsioni dhe krimi të tmerrshëm”, deklaroi pak ditë më parë një nga liderët e koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Borko Stefanoviq.
Më 23 nëntor 2018, ishte rrahur me shufër hekuri në periferi të një takimi politik në Krushevc, një bastion i pushtetit qëndror.

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

Këto akuza shkojnë keq në Bruksel, dhjetë vjet pas fillimit të negociatave të pranimit të Serbisë në BE, pak javë më parë, Këshilli i BE-së lëshoi një raport të përzier mbi situatën demokratike në këtë vend të vogël ballkanik (7 milionë banorë), duke theksuar se duhet “të intensifikojë përpjekjet e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të luftojë kundër të gjitha formave të dezinformimit.
Por a dëshiron vërtet Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian? Kjo është pyetja që po bëjnë disa vëzhgues. Sipas Florent Marciacq, studiues i lidhur me Ifrin dhe specialist në Ballkan, “ka reforma që bëhen vetëm në dukje dhe një autokraci që po konsolidohet”. Specialisti evokon “një rënie të lirisë së shtypit, dhunë politike që po zhvillohet”. Mbi të gjitha, “lufta kundër korrupsionit po bën progres vetëm në dukje. Janë reforma në spitale, por jo në projekte të mëdha investimi”, saktëson studiuesi.

Rusia në pritë

Një çështje tjetër që zvarritet në sytë e evropianëve është Kosova. Nëse që nga viti 2011, Brukseli ka qenë i kënaqur të mbajë dialogun midis Serbisë dhe këtij vendi me shumicë shqiptare, pavarësia e të cilit e shpallur në 2008-tën ende nuk është njohur nga Beogradi, në diskutimet për njohjen e ndërsjellë kanë vështirësi të kenë sukses.

Marsin e kaluar, Beogradi dhe Prishtina edhe një herë nuk arritën një marrëveshje. “Vuçiqi do të vazhdojë të luajë një lojë të dyfishtë. Ai i jep garanci të rreme BE-së për disa çështje për të treguar se është i vullnetit të mirë, por në realitet mbajtja e tij në pushtet është e lidhur me krimin e organizuar,” analizon një konsulent politik nga rajoni i cili preferon të mbetet anonim.

Përpjekjet për paqe përfundimisht dështuan më 24 shtator, kur një grup prej disa qindra serbësh të armatosur rëndë sulmoi fshatin Banjska, duke vrarë 1 pjestar të Policisë së Kosovës. Sipas Le Monde, më shumë se dyzet raketa-hedhës antitank RPG, gati 200 granatahedhës, dhjetëra pushkë automatike, mina dhe 80,000 fishekë u gjetën në automjetet e braktisura përreth zonës.

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Policia e Kosovës, e cila e ndaloi sulmin në minutën e fundit, akuzoi drejtpërdrejt Beogradin se e kishte orkestruar sulmin, të cilin Aleksandar Vuçiq e mohoi. Por hetimi shpejt tregoi se ai e njihte liderin e komandos, Milan Radoiciç. Madje, ky i fundit ishte nënkryetar i Listës Serbe për Kosovën, formacion që konsiderohet si krahu politik i Beogradit në veri të Kosovës.

“Ne gjetëm depo armësh në veri të Kosovës për të armatosur gati 400 njerëz. Si hynë? Dikush do të duhet të përgjigjet një ditë. Diplomatët evropianë ende duan të besojnë se Beogradi është jashtë gjithë kësaj, gjë që e frustron shumë Prishtinën,” paralajmëron konsulenti politik për Ballkanin.

Për të bërë presion mbi fqinjin e saj, Serbia mund të mbështetet në aleatin e saj, Rusinë. Të dy vendet ruajnë lidhje të thella historike dhe kulturore, si dhe një mosbesim të ndërsjellë ndaj NATO-s, i cili bombardoi Beogradin në vitin 1999, gjatë luftës me Kosovën. Sipas një sondazhi të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë të kryer në vitin 2022, 54% e serbëve e konsiderojnë Rusinë aleate dhe 95% një partner të domosdoshëm.

Vendi ballkanik nuk i ka miratuar kurrë sanksionet perëndimore kundër Moskës të nisura pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. “Serbia është e varur nga Rusia në skenën ndërkombëtare për të promovuar agjendën e saj të mosnjohjes së Kosovës”, konfirmon Florent Marciacq. Kremlini nuk bëri asnjë gabim. Mbrëmjen e së dielës, pas fitores së Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet legjislative, Dmitri Peskov, zëdhënësi i Vladimir Putinit, nxitoi ta urojë atë.

Nga: Louis Chahuneau

Marrë nga Frace 24

© Rruga Press

YouTube player