Argument

Serbët e duan veton – mos u mashtroni

Nga Kadri Kryeziu

Nuk e kontestoj të drejtën e komunitetit serb që të ketë një nënkryetar të Kuvendit. Do të ishte absurde ta bëja këtë. Po ashtu, për mua është krejtësisht e parëndësishme kush nga serbët zgjidhet në atë post.

Disa thonë: serbët po japin kandidatë, pra bllokadën po e bëjnë partitë shqiptare. Në shikim të parë kjo mund të duket e vërtetë. Por kjo nuk është thelbi i ankesës së Listës Serbe.

Kuptojeni o njerëz — në çështjet juridike djalli fshihet në detaje. Lista Serbe nuk po kërkon vetëm përsëritje votimi. Ajo po kërkon që Gjykata Kushtetuese të shpallë se Kuvendi nuk mund të konstituohet e as të funksionalizohet pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb. Dhe me masën e përkohshme, Gjykata tashmë na dha sinjalin se anon nga kjo logjikë.

VV, PDK, LDK dhe AAK duhet të marrin mësim. Lista Serbe dhe Nenad Rashiq, edhe pse kundërshtarë të betuar, u bënë bashkë dhe folën me një zë: pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, nuk ka Kuvend funksional. Ky është unitet serb për interesin e tyre kombëtar.

Dhe këtu lind pyetja ime e hidhur: pse serbët dinë të bashkohen për kauzën e tyre, e ne shqiptarët bëhemi pikë e pesë, helmojmë njëri-tjetrin dhe shpesh edhe kombin tonë?

A di dikush të më tregojë?

Rruga Press

YouTube player