Uncategorized

Serbët bllokojnë rrugën në Bujanoc për Krishtlindje, Lutfiu: Shteti motivon huliganët , ndërsa shqiptarët i dënonte për festat kombëtare

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka reaguar për bllokimin e rrugës kryesore të qytetit të Bujanocit, nga serbët lokal gjatë ditës së djeshme.

Luftiu tha se bllokimi i rrugës ndodhi për të “festuar” festën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur shqetësimin e tij për këtë veprim, duke thënë se nga videot e publikuara shihet se ata “dëshironin të hynin në Komunë, si bandit.”

Lutfiu ka theksuar se këto veprime, që ai i konsideron të papranueshme, nuk do të ndjekin asnjë procedurë, pasi siç pohon ai, “në pyetje janë serbët.”

Ai ka kritikuar ashpër shtetin për trajtimin e dyfishtë, duke shtuar se “në vend që shteti të kujdeset për rend dhe ligj, këtu shteti i motivon huliganët.”

Duke krahasuar këtë situatë me ndodhitë e vitit të kaluar, Lutfiu ka përmendur rastin e motoristëve shqiptarë të Komunës së Bujanocit, të cilët u dënuan për organizimin e një parade me rastin e 28 Nëntorit.

Ai e cilëson këtë si një shembull të padrejtësisë dhe zullumit të shtetit.

Në fund, Lutfiu ka uruar të gjithë bashkëqytetarët që e festuan Krishtlindjen Ortodokse me maturi, duke theksuar: “Ja uroj festën. Shëndet e mbarësi.”

YouTube player