KryesoreLajme

Senatorja Shaheen: Mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës

Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian, tha senatorja amerikane Jeanne Shaheen, gjatë një konference për media të enjten në Prishtinë.

Shaheen është pjesë e një delegacioni prej tre senatorësh amerikanë, që po vizitojnë Kosovën. Ajo së bashku me senatorët Thom Tillis dhe Chris Murphy para vizitës në Kosovë kanë qëndruar në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Shaheen tha se me këtë vizitë po tregohet mbështetja dypartiake e Senatit amerikan.

“Mezi presim të mbështesim aspiratat tuaja për të qenë pjesë e NATO-s. Senatori Tillis dhe unë jemi bashkëkryesues të grupit vëzhgues për NATO dhe ne punojmë fuqishëm për të mbështetur përpjekjet në Kongresin amerikan të asaj që po bën NATO-ja dhe për të mbështetur aspiratat e shteteve si Kosova që janë të interesuara për t’iu bashkuar NATO-s”, tha senatorja Shaheen.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

“Gjithashtu mbështesim aspiratat tuaja të vazhdueshme për të lëvizur drejt BE-së dhe për partneritetin tuaj me Perëndimin”, shtoi ajo.

Kosova së fundmi ka shtuar kërkesat për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s, teksa Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë për shkak të nisjes së paprovokuar të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Senatorja Shaheen, tha se SHBA-ja ndan shqetësimet e Kosovës se ky konflikt mund të prekë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mezi presim të vazhdojmë punën e përbashkët edhe më tej për të shkëmbyer ide për sfidat me të cilat përballemi të gjithë, sidomos në këtë mjedisin e sigurisë me të cilin po përballemi tani në Evropë me atë që po ndodh në Ukrainë dhe me agresionin e paprovokuar të Rusisë. Nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë askund tjetër në Evropë dhe duam që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Jemi këtu me këtë mesazh dhe për miqësinë që kemi”, tha Shaheen.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ka informuar senatorët amerikanë për qëllimet e Serbisë, që sipas janë që të tërheqin rajonin e Ballkanit “drejt së kaluarës”.

“Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë”, tha Osmani, duke shtuar se tendencat destabilizuese do të pengohen sepse “ky është vullnet i Kosovës, si populli më pro-amerikan dhe pro-NATO në botë”.

Pas takimit me presidenten Osmani, senatorët amerikanë janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Delegacioni i senatorëve amerikanë gjatë vizitës së tyre në Serbi më 19 prill, i bën thirrje Beogradit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pasi Serbia është vendi i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Ndërkaq, gjatë vizitës në Bosnjë, ata paralajmëruan kundër ndikimit të Kinës në rajonin e Ballkanit. /REL

Rurga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *