Senati për të parën herë në 4 vite rrëzon veton e Trump
Republikanët e Presidentit Donald Trump në Senat rrëzuan veton e tij ndaj një projektligji për mbrojtjen, duke shënuar kështu herën e parë gjatë katër viteve të presidencës së tij që republikanët e Senatit hedhin poshtë veton e tij.
I mbledhur në një sesion të pazakontë për ditën e parë të Vitit të Ri, Senati votoi 81 me 13 duke arritur shumicën e nevojshme me dy të tretat për të tejkaluar veton presidenciale me mbështetje nga të dyja partitë, vetëm dy ditë para se Kongresi i ri të bëjë betimin të dielën. Tetë veto të mëparshme të presidentit janë mbështetur prej tyre.
Edhe pse gjithmonë në krah të presidentit, që nga zgjedhjet e tre nëntorit ata janë kritikuar nga Trump për faktin që nuk i mbështetën plotësisht pretendimet e tij të pabaza për mashtrim elektoral, që refuzuan kërkesën e tij për ndihmë më të madhe financiare ndaj familjeve amerikane në vështirësi dhe që po anashkalojnë veton presidenciale.
Senati i udhëhequr nga republikanët shqyrtoi në mesditë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një projektligj prej 740 miliardë dollarësh, të cilin zoti Trump nuk pranoi ta kthejë në ligj, sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë. Presidenti gjithashtu kundërshtonte një dispozitë që u heq bazave ushtarake të vendit emrat e gjeneralëve të luftës civile amerikane që luftonin në emër të Konfederatës së shteteve të jugut. Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit.
Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.