Lajme

Seksiste dhe të zhbalancuara/ Media hapësirë “pa limit” PS dhe Edi Ramës

Me zgjerimin e shpërndarjes së internetit me brez të gjerë dhe të telefonave të zgjuar celularë gjatë viteve të fundit, konsumi i lajmeve nëpërmjet faqeve ‘online’ të medias audiovizive, gazetave dhe portaleve ka shënuar rritje eksponenciale.

Ky konsum, sipas vëzhguesve të medias, arrin pikun gjatë periudhave zgjedhore dhe fushata e fundit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u pasqyrua gati në kohë reale në faqet ‘online’ të mediave.

Por pasqyrimi i zgjeruar i deklaratave politike dhe aktiviteteve zgjedhore në faqet online të mediave nuk do të thotë që mediat kanë qenë të balancuara në mbulimin e tyre, duke publikuar lajme për të gjitha subjektet politike në garë dhe duke mbajtur një barazpeshë midis hapësirës që u jepet kandidateve për deputete gra dhe vajza, kundrejt kolegëve të tyre burra.

Nga data 26 mars deri më 24 prill, BIRN monitoroi lajmet e botuara në lidhje me zgjedhjet nga 30 faqe interneti të televizioneve kryesore në vend, gazetave të përditshme dhe portaleve online.

Analiza e të dhënave të përftuara nga indeksimi nëpërmjet një databaze i dhjetëra mijëra artikujve, tregon se mbulimi i fushatës u përqendrua kryesisht tek liderët kryesorë partiakë dhe kandidatët për deputetë burra, ndërkohë që koleget e tyre gra dhe vajza, si dhe partitë e vogla që garonin në zgjedhje u lanë në hije.

“Këto të dhëna tregojnë se mbulimi i medias gjatë fushatës elektorale i aktorëve të ndryshëm politikë dhe i kandidateve gra dhe vajza nuk ka qenë i balancuar,” tha Kristina Voko, drejtoreshë ekzekutive e BIRN Albania.

“Media gjatë fushatave zgjedhore duhet t’i japë publikut informacion të saktë dhe të balancuar, në mënyrë që ato të bëjnë një zgjedhje të informuar ditën e votimit,” theksoi ajo.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri garuan 10 parti politike, 2 koalicione zgjedhore dhe pesë kandidatë të pavarur – në Dibër, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Në total në garë morën pjesë më shumë se 1840 kandidatë për deputet.

Sipas Kodit Zgjedhor, fushata fillon 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe mbaron 24 orë përpara ditës së votimit. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të drejtën e votës e gëzonin gati 3.6 milionë votues, nga të cilët 50.5 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.5 % janë femra.

Nga numri total i votuesve, pak më shumë se 107 mijë ishin të rinj mbi moshën 18 vjeç, të cilët e gëzonin të drejtën e votës për herë të parë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve iu drejtuan qendrave të votimit për të shprehur preferecën e tyre politike 1.66 milionë votues ose 46.33% të totalit, nga të cilët 44.99% ishin votuese gra dhe vajza.

Pas numërimit të fletëve të votimit në 12 qarqe, Partia Socialiste e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama u shpall fitues me 48.67% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike në opozitë me 39.43% të votave dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 6.81% të votave. Socialistët do të kenë 74 deputetë në legjistlaturën e ardhshme, demokratët 59 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 4 deputetë.

Supriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte Partia Social Demokrate – e udhëhequr nga deputeti dhe biznesmeni kontrovers Tom Doshi, e cila arriti të siguronte 3 deputetë, një në të Tiranë dhe dy në qarkun e Shkodrës.

Media i dha më shumë hapësirë PS dhe Edi Ramës

Gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.

“Rregullat, kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në këtë ligj kanë qëllim garantimin e barazisë së subjekteve zgjedhore në garë, sigurimin e paanësisë së operatorëve radiotelevizivë në raport me fushatën dhe subjektet e veçanta zgjedhore, si dhe mbrojtjen e subjekteve zgjedhore nga praktikat e deformimit të mesazhit zgjedhor, censurës dhe përdorimit të kundërligjshëm të medies,” thekson neni 78 i Kodit Zgjedhor.

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Marrëdhënia e partive ose kandidatëve është e rregulluar përsa i përket mediave audiovizive, por kufizimet dhe monitorimi që Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, i bën entiteteve të ndryshme mediatike nuk shtrihet online, qofshin këto televizione, gazeta apo portale.

Pasi analizoi më shumë se 110 mijë artikuj të publikuar gjatë fushatës zgjedhore nga 30 mediat online të përzgjedhura, BIRN identifikoi rreth 34,445 artikuj të lidhur drejtpërdrejt me mbulimin e fushatës dhe procesit zgjedhor në vend. Nëpërmjet një kampioni gjysëm rastësor, 20% e këtyre artikujve u koduan nga monitorues të trajnuar për të vlerësuar mbulimin mediatik të subjekteve dhe aktorëve të ndryshëm politikë.

Duke analizuar të dhënat e përftuara nga baza e të dhënave, BIRN arriti në përfundimin se më shumë se gjysma e artikujve të publikuar (54.2%) janë në formatin e deklaratave politike, 7.6% fokusohen në mbulimin e takimeve elektorale të partive politike, 7.5% janë lajme rreth aktiviteteve të ndryshme administrative të funksionarëve publikë, 10.7 % lajme mbi procesin zgjedhor dhe pjesa e mbetur janë komente, lajme mbi debatet televizive ose rezultatet e sondazheve.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Partia Socialiste në pushtet ka qenë subjekti politik që mori më shumë hapësirë nga media në raportimin e tyre online gjatë fushatës elektorale. PS ka marrë 37.2% të mbulimit mediatik, e ndjekur nga Partia Demokratike me 32.5% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 12%.

Sa i përket aktorëve politikë, 23.8% e deklaratave të botuara i përkasin kryeministrit Edi Rama dhe 18.6% liderit të opozitës, Lulzim Basha, i ndjekur nga Presidenti Ilir Meta me 12% dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me 4.8%. Ndërsa pjesa e mbetur e deklaratave të botuara ndahet midis kandidatëve të tjerë në zgjedhje dhe përfaqësuesve të partive politike.

Ndërkohë, në artikujt që janë në formatin e lajmeve mbi takimet e partive dhe kandidatëve me zgjedhësit gjatë fushatës, mbulimi është më i balancuar midis dy partive të mëdha – por anon sërish nga PS. Nga këta artikuj, 44.8% kanë qenë mbulim për Partinë Socialiste, 39.8% për Partinë Demokratike, 8.2% për LSI-në dhe vetëm 7.1% për të gjithë subjektet e tjera politike garuese. Edhe në këtë format, Edi Rama është sërish aktori politik më i pasqyruar me 32.7% të totalit, i ndjekur nga Lulzim Basha me 25.2% dhe Monika Kryemadhi me 5.7%.

Përveç publikimit të një numri të lartë artikujsh mbi deklaratat elektorale të Partisë Socialiste, media online i ka dhënë dhe një mbulim të gjerë akitiviteve administrative të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit qeveritar, të cilët gjatë fushatës janë përqendruar në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Gati 46.4% e artikujve mbi aktivitetet administrative kanë si subjekt ministrat e kabinetit qeveritar, 30.6% kanë si subjekt vetë kryeministrin Edi Rama dhe vetëm 8.3% e lajmeve administrative kanë si subjekt Presidentin Ilir Meta.

Sa i përket lajmeve që lidhen me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve është institucioni më i pasqyruar me 30.2% të totalit, i ndjekur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë me 26% të mbulimit, ndërkohë që 10% e lajmeve mbi procesin zgjedhor kanë si subjekt partitë politike.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN përfshijnë lajmet e botuara nga 8 faqe online televizionesh, 7 faqe gazetash të përditshme dhe 15 portale. Mbulimi i subjekteve dhe aktorëve të ndryshëm politikë nuk ka qenë i njëtrajtshëm midis faqeve në internet të televizioneve, gazetave dhe portaleve.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Faqet online të gazetave i kanë dhënë më shumë hapësirë Lëvizjes Socialiste për Integrim në krahasim me televizionet ose portalet. Ndërkohë, televizionet i kanë dhënë më shumë hapësirë deklaratave të përfaqësuesve të PS-së, në shumicën e rasteve të kryeministrit Edi Rama, në krahasim me faqet e portaleve dhe të gazetave.

Hendeku gjinor në internet

Studimet e ndryshme kanë treguar se burrat dhe gratë trajtohen ndryshe nga media dhe në të njëjtën kohë, ata kanë eksperiencë shumë të ndryshme kur marrin pjesë në procesin politik duke garuar në zgjedhje.

Nga 1841 kandidatë për deputetë që morën pjesë në zgjedhje, vetëm 732 ose 39.7% ishin gra. Nga ky grup kandidatesh, në legjislaturën e ardhshme janë zgjedhur 48 deputete, që përbëjnë rreth 34% të parlamentit me 140 deputetë, duke shënuar një rritje nga legjislatura e mëparshme që kishte vetëm 41 deputete gra.

Megjithë rritjen e përfaqësimit të grave deputete në legjislaturën e re që fillon punë në shtator, të dhënat e mbulimit mediatik në internet të analizuara nga BIRN, tregojnë që gjuha seksiste dhe përçmuese ndaj grave dhe vajzave kandidate vazhdoi të ishte pjesë e fushatës zgjedhore. Gjithashtu, mbulimi mediatik i fushatës zgjedhore të grave kandidate ishte shumë më i ulët, nëse krahasohet me kolegët e tyre burra.

Analiza e më shumë se 6900 artikujve të kampionuar nga BIRN nga faqet online të 30 mediave kryesore në vend gjatë zgjedhjeve, tregon ekzistecën e një hendeku të qartë gjinor.

Të dhënat e monitorimit tregojnë se vetëm 15.3% e deklaratave politike të publikuara nga media në faqet e tyre online i përkasin kandidateve femra, ndërsa 84.7% janë dhënë nga kolegët e tyre burra.

Ndër mediat e monitoruara, faqet online të televizioneve kishin hendekun më të thellë gjinor në mbulimin e kandidatëve gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të ndjekura nga portalet online dhe faqet në internet të gazetave.

Të dhënat e analizuara tregojnë se mediat jo vetëm ishin të pabalancuara për sa i përket gjinive gjatë fushatës, por portretizimi i kandidatëve gra ishte shpesh peng i steriotipeve gjinore, në mënyrë të hapur ose të nënkuptuar.

Sipas Dr. Izela Tahsinit, Profesore e Asociuar në Universitetin e Tiranës dhe bashkëautore e një raporti mbi politikën dhe gjininë, stereotipet e përdorura gjatë zgjedhjeve parlamentare për kandidatet për deputete lidheshin kryesisht me paraqitjen e jashtme – si flokët, pesha dhe veshja, çfarë e bën sfiduese krijimin e një imazhi serioz.

Tahsini thekson gjithashtu se faqet online të mediave u fokusuan tek familja e kandidateve – duke barazuar gruan me nënën, në disa raste kapërcyen kufijtë e jetës private duke bërë pyetje shumë intime. Ndërsa kandidatet që nuk përmbushnin stereotipet gjinore u cilësuan si “burra”.

“Gratë dhe vajzat targetohen vazhdimisht për pamjen dhe paraqitjen gjatë fushatës, ndryshe nga kandidatët burra,” tha Tahsini.

“Pothuajse nuk ka aspak reflektim nga media mbi problemet e portretizimit gjinor gjatë fushatës elektorale, gjë që reflektohet dhe në mungesën e artikujve lidhur me këtë çështje,” shtoi ajo.

Sipas Tahsinit, gjatë fushatës zgjedhore problemet e portretizimit gjinor nuk u kufizuan vetëm tek mbulimi i kandidateve por edhe tek temat dhë çështjet kryesore të diskutuara që i adresoheshin votueseve gra dhe vajza.

“Tematikat kryesore lidheshin me rolet e gruas në shoqëri dhe në familje, si p.sh. edukimi i fëmijëve, rritja e fëmijëve me aftësi të kufizuara, emigrimi i fëmijëve të tyre në vende të tjera, punësimi i tyre dhe i familjarëve të tjerë, hapja e biznesit, vaksinimi,” tha Tahsini.

“Megjithatë, tema si dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore që janë shumë prezente, nuk janë prekur thuajse fare,” përfundoi ajo. /BIRN

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *