Sekretet e operacionit ukrainas në -40°C – Si u organizua sulmi i Ukrainës nga brenda Rusisë
Shefi i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), Vasyl Malyuk, ka zbuluar detaje nga operacioni i koduar “Rrjeta e Merimangës”, një sulm i madh me dronë që goditi bazat ajrore strategjike të Rusisë, duke i shkaktuar dëme të rënda flotës ajrore të Kremlinit.
Sipas Malyuk, agjentët ukrainas themeluan një kompani fiktive në qytetin Çelyabinsk të Rusisë, pranë një ndërtese të sigurisë lokale, për të planifikuar dhe përgatitur sulmin. Duke u prezantuar si kompani logjistike, ata blenë pesë kamionë, punësuan shoferë dhe transportuan mallra për të fshehur aktivitetin e tyre të vërtetë.
Në operacionin e zhvilluar mijëra kilometra larg vijës së frontit, u përdorën 150 dronë FPV (First Person View), të futur fshehurazi në territorin rus. Dronët u mbajtën funksionalë edhe në temperatura ekstreme deri në -40°C, duke përdorur gjeneratorë, panele diellore dhe pajisje të tjera.
Këta dronë, që nga jashtë dukeshin të zakonshëm, ishin të pajisur me veçori të posaçme dhe me një ngarkesë shpërthyese të zhvilluar enkas për këtë mision. Eksplozivi me dy pjesë kishte efekt kumulativ dhe shkatërrim të lartë, duke depërtuar në trupin e avionëve dhe duke shkaktuar shpërthim të brendshëm.
Sipas autoriteteve ukrainase, objektivat përfshinin avionë bombardues me kapacitet bërthamor dhe të paktën një avion zbulues A-50. Sulmi, i përshkruar si më i madhi ndaj territorit rus gjatë tre viteve e gjysmë të luftës, shkaktoi dëme të vlerësuara rreth 7 miliardë dollarë dhe dëmtoi rreth 10% të flotës ajrore ruse.
Rruga Press

