Bota

Sekretari Blinken qartëson politikën amerikane ndaj Kinës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të mbajë një fjalim të rëndësishëm të enjten, duke parashtruar politikën amerikane ndaj Kinës. Fjalimi vjen disa ditë pasi Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë Tajvanin ushtarakisht nëse është e nevojshme, duke tërhequr vëmendjen në mbarë botën dhe shkaktuar zemërim tek udhëheqja në Pekin.

Gjatë një takimi në Tokio këtë javë, udhëheqësit e Japonisë, Indisë, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara paralajmëruan kundër përpjekjeve të Kinës për të “ndryshuar me forcë status quo-në” mes shqetësimeve se ai vend mund të sulmojë Tajvanin.

Presidenti amerikan shkoi një hap më tej, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të ndërhynin ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin në rast të një agresioni nga Kina.

Ai dhe zyrtarët e administratës sqaruan më vonë komentin, duke thënë se nuk kishte asnjë ndryshim në politikën e strategjisë amerikane, në të cilën Shtetet e Bashkuara shmangin qëllimisht të parashtrojnë mënyrën se si do t’i përgjigjen një sulmi kinez.

“Siç e dëgjuat nga presidenti sot apo një ditë më parë në Tokio, kur Presidenti Biden tha, dhe po e citoj: ‘Politika jonë ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit dhe për të siguruar se nuk ka ndryshim të njëanshëm të status quo-së’”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Lexo më shumë  Rutte kërkon ndryshimin e trajektores së luftës në Ukrainë

Në vazhdën e komenteve të presidentit amerikan, udhëheqësit aziatikë, përfshirë Pekinin, ka të ngjarë t’i kushtojnë më shumë vëmendje fjalimit të Zotit Blinken lidhur me politikën amerikane ndaj Kinës.

Diplomacia kineze akuzoi zotin Biden për dëmtim të parimit të “një Kine të vetme”, e cila mbron sovranitetin e Kinës mbi Tajvanin, dhe mbështetjen ndaj aktiviteteve separatiste të Tajvanit.

Brian Harding me Institutin Amerikan të Paqes e kundërshton këtë nocion, duke vënë në dukje se udhëheqësit botërorë kanë të drejtë kur shqetësohen mbi rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve pas agresionit rus në Ukrainë.

“Nëse do të kishte agresion të drejtpërdrejtë kundër Tajvanit, siç po ndodh në Ukrainë, mendoj se Presidenti Biden ka absolutisht të drejtë, se do të kishte veprime ushtarake amerikane kundër këtij kërcënimi. Të bie në sy komenti që Presidenti Biden bëri në Japoni pasi Tokioja ka deklaruar publikisht se siguria e Japonisë është e lidhur ngushtë me atë që ndodh në Tajvan dhe Ngushticën e Tajvanit”, thotë për Zërin e Amerikës Brian Harding me Institutin Amerikan të Paqes.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Ai thotë se nuk pret shumë surpriza apo ndryshime të mëdha politike në fjalimin e Sekretarit Blinken. Me shumë gjasa, do të pasqyrojë një dëshirë për të kthyer fokusin e politikës së jashtme amerikane në Azi dhe në rajonin e Indo-Paqësorit, thotë zoti Harding për Zërin e Amerikës.

“Historia e shekullit të 21-të po shkruhet në Azi, jo vetëm nga Kina, por edhe nga fuqitë e tjera në rritje. Por edhe se si Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj, si dhe sistemi ndërkombëtar, i përshtaten rritjes së Kinës dhe autoritarizmit të saj të brendshëm dhe jo Kinës që pritej”.

Muajin e kaluar, ushtria e Tajvanit njoftoi gjatë një konference shtypi në internet se ka publikuar një manual për popullsinë civile se si të përgatiten për një sulm të mundshëm kinez, përfshirë të dhënat se ku mund të strehonen në rast agresioni./VOA/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *