Sekretari Blinken paralajmëroi Serbinë me letrën për Albin Kurtin/ Bytyçi: Ky është autorizimi që mori Kosova nga SHBA-ja
Profesori Universitar Enver Bytyçi konsideron se letra që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pranoi mbrëmë nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken përmbanë disa elementë pozitivë.
Në një postim në Facebook, prof Bytyçi ka shkruar se SHBA-të, ndryshe nga Brukseli, angazhohen për njohje të ndërsjelltë Kosovë-Serbi.
“Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka adresuar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën i shkruan: “Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”!
Kjo letër përmban disa elementë pozitivë:
Së pari, SHBA-të, ndryshe nga Brukseli, angazhohen për njohje të ndërsjelltë. Kjo do të thotë se shteti i Kosovës ka të ardhme dhe e ardhmja duhet të ndërtohet nga vetë liderët dhe institucionet e tij. Kjo qasje është gjithashtu paralajmërim edhe për Serbinë!”, ka shkruar ai.
Së dyti, së dyti sipas Bytyçit për të ndërtuar këtë të ardhme, Blinken me të drejtë kërkon jo vetëm që dialogu të vazhdojë e të përmbyllet, por edhe që qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar duke përfshirë edhe veriun.
“Sundimi i ligjit është rekomandimi i parë I zotit Blinken. Unë e shoh si një autorizim që ky ligj të sundojë në të gjithë territorin e vendit. Edhe në veri! Madje ai kërkon që të zgjidhet gjithashtu problemi i furnizimit me energji të zonës veriore të Mitrovicës”, nënvizoi ai.
Së treti, Bytyçi theksoi se sekretari amerikan i Shtetit kërkon mbrojtjen e minoriteteve dhe se kur flitet për këtë, gjithkush ka parasysh mbrojtjen e minoritetit serb në Kosovë.
“Kjo përgjegjësi tashmë është praktike, që Kosova dhe shqiptarët shumicë e popullsisë së vendit të kujdesen për minoritetet njësoj si për veten e tyre. Ndërsa kujdesi për minoritetin serb të shkojë përtej vetes, duke synuar shkëputjen e tij nga manipulimi që bën politika e Beogradit”, ka potencuar profesori.
Po ashtu, profesor Bytyçi ka përmendur edhe faktin që sekretari Blinken e lidh suksesin e Kosovës me suksesin ekonomik të saj.
“Viti 2022 duhet të jetë vit i investimeve të mëdha të huaja në Kosovë. Përzgjedhja e investitorëve duhet të jetë nga vendet e Perëndimit. SHBA dhe vende të tilla si Gjermania, Britania e Madhe, Austria, vendet nordike etj, duhet të parashikohen në ligj si vende që favorizohen në investimet në Kosovë. Ato vende që kontribuojnë për shtetësinë e pavarësinë e Kosovës më shumë, ato duhet që me ligj të bëhen favoritë në investimet në vend. Dhe kjo duhet të ndodhë shpejt, sa më shpejt, që ekonomia e Kosovës të bëhet model në rajon!”, ka përfunduar Bytyçi.
Rruga Press