Bota

Sekretari amerikan i Mbrojtjes bisedime me NATO-n rreth krizës Ukrainë-Rusi

Mes kërcënimeve për një sulm të mundshëm rus në Ukrainë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin viziton Brukselin për dy ditë bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes së aleancës. Vizita e zotit Austin vjen ndërsa dhjetëra mijëra trupa ruse kanë rrethuar Ukrainën nga veriu, jugu dhe lindja. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb sjell më shumë hollësi nga Brukseli.

Një sulm i mundshën nga një armik i njohur. Me grumbullimin e 150 mijë trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës, integriteti territorial i një prej fqinjëve lindorë të NATO-s është nën kërcënim.

“Mendoj se kjo po bëhet për të detyruar qeverinë e Presidentit Zelensky të mbyllë sytë dhe të bëj lëshime të mëdha”, thotë gjenerali në pension Ben Hodges, ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë.

Të mërkurën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u prit në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Na keni dëgjuar shpesh të themi se jemi të përkushtuar ndaj parimeve të sigurisë kolektive. Edhe në të ardhmen mund të prisni angazhimin tonë të madh. Në këtë takim ju paraqitët një program agresiv dhe të menjëhershëm. Mezi pres të punoj me ju dhe kolegët e mi, për të trajtuar disa çështje të rëndësishme për aleancën dhe rajonin. Prandaj, jam i lumtur që jam këtu dhe mezi pres t’i përvishemi punës”, tha nga Brukseli Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Vizita e zotit Austin në Bruksel vjen mes sinjaleve shpresëdhënëse se Evropa mund të shmangë luftën, pas disa javësh me tensione të larta midis Lindjes dhe Perëndimit.

“Ky është një moment vendimtar për NATO-n, diçka që nuk është parë nga themelimi i aleancës më 1949”, thotë Bradley Bowman nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Avionët luftarakë amerikanë janë gati të monitorojnë hapësirën ajrore në krahun lindor të NATO-s. Një aeroplanmbajtëse amerikane është vendosur në detin Adriatik, për herë të parë në dekada. Mijëra trupa shtesë amerikane janë vendosur në Poloni dhe Rumani.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Të martën ligjvënësit rusë i kërkuan presidentit Vladimir Putin njohjen zyrtare të rajoneve të kontrolluara nga separatistët e Ukrainës Lindore si shtete të pavarura, një lëvizje që zoti Putin mund ta përdorë për të arsyetuar ndërhyrjen në një zonë që nuk e njeh më si territor të Ukrainës.

Por Presidenti amerikan Joe Biden të martën paralajmëroi pasoja të rënda ekonomike dhe politike nëse Rusia sulmon Ukrainën.

“Do të përballet me pasoja dërrmuese ndërkombëtare. Bota nuk do të harrojë se Rusia zgjodhi vdekjen dhe shkatërrimin e panevojshëm. Sulmi ndaj Ukrainës do të jetë një plagë e vetëshkaktuar”, tha zoti Biden.

Tani Rusia thotë se po tërheq trupat nga kufiri i Ukrainës, megjithëse presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara ende nuk mund të konfirmojnë pohimet e Moskës.

Kremlini nuk e ka bërë të qartë nëse do të ketë tërheqje të plotë të trupave, duke thënë se lëvizjet e ardhshme të Rusisë varen nga situata.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *