Lajme

Sejko: Plakja e popullsisë dhe emigracioni rrezikojnë potencialin e rritjes ekonomike të Shqipërisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paralajmëruar se plakja e popullsisë dhe emigrimi i fuqisë punëtore po bëhen ndër sfidat kryesore që rrezikojnë potencialet afatgjata të rritjes ekonomike në vend.

Gjatë fjalës së tij në Workshop-in e 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Sejko theksoi se, pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë, perspektiva mbetet e ndikuar nga pasiguritë globale dhe sfidat strukturore të brendshme.

“Të dhënat makroekonomike tregojnë për një ecuri pozitive të rritjes, të mbështetur nga stabiliteti monetar e financiar. Inflacioni është në nivele të ulëta dhe të kontrolluara, ndërsa sistemi bankar mbetet i shëndoshë dhe një shtyllë kyçe e stabilitetit makroekonomik”, deklaroi Sejko.

Lexo më shumë  VV ankohet në Supreme rreth vendimit të PZAP-it për qendrat alternative të votimit në diasporë

Megjithatë, ai nënvizoi se ekonomia shqiptare, ashtu si ajo globale, po përballet me pasiguri të shumta që lidhen me tensionet gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve.

“Ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës së punës, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore dhe po ndikojnë në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike”, theksoi Guvernatori i BSH-së.

Sipas tij, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike dhe private, si dhe rritje të produktivitetit e përshtatje të strukturës së prodhimit.

Në këtë kuadër, Sejko nënvizoi nevojën për politika të kujdesshme monetare e fiskale, si dhe për reforma transformuese që synojnë rritjen e produktivitetit përmes inovacionit, investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit dhe zgjerimit të përfshirjes financiare e ekonomike.

“Rritja e qëndrueshme ekonomike dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik kërkojnë një qasje strategjike, fleksibilitet politikash dhe zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare”, përfundoi Sejko.

Rruga Press

YouTube player