Sejko: Pandemia nxorri 50 mijë të papunë, ekonomia ringrihet në 2 vjet
Banka e Shqipërisë është optimiste se brenda dy viteve të ardhshme ekonomia e vendit do të rigjallërohet. Guvernatori Genc Sejko foli në një takim ekonomik të vendeve të Europës Juglindore, ku tha gjithashtu se deri më tani Shqipëria ka humbur 50 mijë vende pune për shkak të pandemisë.
“Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%”, deklaroi Guvernatori.
Sejko tha se rritja e papunësisë pasoi efektin zinxhir të uljes së inflacionit nga 1.9 në 1.4 për qind. Guvernatori vlerësoi se masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për funksionimin normal të tregjeve financiare dhe se sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm.
“Sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm, pavarësisht sfidave me të cilat po e përball pandemia. Masat operacionale të menjëhershme të ndërmarra nga bankat, si dhe masat mikro dhe makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siguruan jo vetëm vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve kritike të bankave, por gjithashtu ndërmjetësim financiar të kënaqshëm, pavarësisht goditjes së rëndë që pësoi ekonomia”, deklaroi Sejko.