Scholz s’i jep leje Ukrainës për armët me rreze të gjatë
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka këmbëngulur se vendi i tij nuk do t’i heqë kufizimet ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi kundër Rusisë, pavarësisht lutjeve të Kievit.
Qeveria i ka marrë “disa vendime” në lidhje me mbështetjen ushtarake për Ukrainën, të cilat “janë shumë të qarta për mua”, ka thënë Scholz të hënën mbrëma në New York, ku do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Scholz theksoi se në mesin e atyre vendimeve janë edhe kufizimet që ia ndalojnë Ukrainës të hedhë raketa gjermane thellë brenda territorit të Rusisë.
Zelensky u është lutur vazhdimisht partnerëve perëndimorë ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjata veprimi për t’i goditur shënjestrat thellë brenda tokës ruse, përfshirë fushat ajrore dhe depot e naftës të përdorura nga ushtria. Edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca kanë refuzuar që t’i japin leje Ukrainës për armët me rreze të gjata.
Rruga Press