Scholz, “njeriu i mërzitshëm’’ i politikës që mbrojti ekonominë gjermane
Socialdemokrati Olaf Scholz është më pranë emërimit si kancelari i ri i Gjermanisë pas arritjes së një marrëveshjeje koalicioni me të gjelbrit dhe demokratët liberalë, që synon modernizimin e ekonomisë më të madhe europiane, përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe perëndimin e epokës Merkel.
Si ministër i Financave dhe zëvendëskancelar i koalicionit të madh, në largim, mes SPD-së dhe konservatorëve të CDU/CSU, 63-vjeçari Scholz, është parë më shumë si një politikan kompetent se sa karizmatik, i cili ashtu si Merkel ka pikëpamje të moderuara dhe është i aftë për dialog.
Ish-kryebashkiaku i Hamburgut është parë prej kohësh nga publiku, si burri “i mërzitshëm” i politikës, por i pyetur për këtë nga revista Brigitte, ai u përgjigj: “Pikë së pari, unë kam emocione. Dhe shumica e qytetarëve e kanë gjithashtu një ide të qartë se cilat janë ato. Unë po garoj për t’u bërë kancelar e jo një drejtor cirku”.
Scholz i ka vënë të gjitha bastet te qëndrueshmëria e tij, si pika e fortë për të qenë njeriu i ri në krye të Gjermanisë. Si ministër i Financave, reagimi i socialdemokratit është përshkruar si i shkëlqyer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Gjatë 3 viteve e gjysmë në këtë post, Scholz hartoi buxhete të balancuara në vendin e tij dhe ndihmoi Bashkimin Europian të krijojë fondin e rimëkëmbjes nga pandemia duke kapërcyer rezistencën e Merkelit ndaj planeve të paprecedente për borxhet, të bllokut prej 27 anëtarësh.
Ai nxiti gjithashtu përpjekjet me Francën, për të prezantuar një taksë minimale korporatash dhe rregulla të reja taksash për gjigantët e teknologjisë. Si kancelar, Scholz ka premtuar të rrisë pagën minimale, të shtrëngojë kontrollet e qirave dhe të ruajë të larta investimet publike në një infrastrukturë më të gjelbër e digjitale./a2/
RrugaPress