Scholz kritikon ashpër nënpresidentin amerikan JD Vance
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka kritikuar ashpër deklaratat e nënpresidentit amerikan JD Vance në favor të AfD-së (Alternativës për Gjermaninë, një parti politike e ekstremit të djathtë dhe populiste) dhe ka hedhur poshtë çdo ndërhyrje në fushatën zgjedhore gjermane.
“Gjermania nuk do të pranojë të huajt që të ndërhyjnë në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona dhe në formimin demokratik të opinionit në emër të kësaj partie”, tha politikani i SPD-së, të shtunën, në Konferencën e Sigurisë në Munih.
“Kjo nuk është e përshtatshme – veçanërisht jo midis miqve dhe aleatëve”, shtoi Scholz.
Ai tutje ka thënë se gjermanët vendosin vet se çfarë do të ndodhë me demokracinë e tyre.
Kancelari tha se i ishte mirënjohës nënpresidentit të SHBA-së, JD Vance që gjatë vizitës së tij në memorialin e kampit të përqendrimit Dachau të enjten theksoi se nacionalsocializmi nuk duhet të përsëritet kurrë.
“Por angazhimi për ‘kurrë më’ nuk është në përputhje me mbështetjen për AfD”, tha Scholz.
Scholz gjatë fjalimit të tij bëri thirrje për mbështetje afatgjatë për Ukrainën.
“Ne evropianët jemi ata që mbështesim më shumë Ukrainën – për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Scholz. Sipas tij, Ukraina “duhet të ketë forca të armatosura në fund të çdo zgjidhjeje të negociuar me të cilën mund të zmbrapsë çdo sulm të rinovuar rus”.
Rruga Press