Scholz e Macron: Gjeorgjia po devijon nga rruga evropiane
Gjermania dhe Franca i dërguan një sinjal qeverisë së Gjeorgjisë: ligji i diskutueshëm për median pengon të ardhmen evropiane të vendit, thanë Scholz dhe Macron në një deklaratë të përbashkët.
Gjermania dhe Franca u shprehën me “shqetësim të thellë” për situatën në Gjeorgji. Në deklaratën e përbashkët të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron thuhet se të dy vendet konstatojnë me keqardhje të thellë për vendimin e qeverisë gjeorgjiane dhe partisë në pushtet për të devijuar nga rruga evropiane.
Deklarata e tyre lidhet me miratimin e një ligji të diskutueshëm për të kufizuar ndikimin e huaj në shoqërinë civile në Gjeorgji. Sipas tij organizatat dhe mediat që financohen të paktën 20 përqind nga jashtë, duhet të regjistrohen në të ardhmen si organe që “ndjekin interesat e fuqive të huaja”.
Kritikuesitt shohin paralele me ligjin kundër “agjentëve të huaj” në Rusi, i cili u mundëson autoriteteve të atjeshme të ndërmarrin veprime masive kundër mediave dhe organizatave kritike.
Ligj “kundër vlerave të përbashkëta evropiane”
Gjeorgjia mori nga fundi i vitit të kaluar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Sipas sondazheve më shumë se 80 përqind e gjeorgjianëve janë pro anëtarësimit të vendit të tyre në BE dhe NATO.
Në deklaratën e përbashkët franko-gjermane thuhet: “Dy vendet tona e kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Gjeorgjisë dhe kanë mbështetur në mënyrë aktive vendimin e Këshillit Evropian të dhjetorit 2023 për dhënien e statusit të kandidatit”.
Lidhur me ligjin e diskutueshëm në deklaratë thuhet se qeveria gjeorgjiane dhe partia në pushtet kanë vepruar kundër vlerave dhe aspiratave të përbashkëta evropiane të popullit gjeorgjian. “Rruga evropiane e Gjeorgjisë është hartuar – por Gjeorgjia vendos me çfarë shpejtësie dhe drejtimi do të ecë përpara,” thuhet në deklaratë.
Protesta masive dhe vetoja e Presidentes
Ligji për kufizimin e ndikimit të huaj në shoqërinë civile në Gjeorgji u miratua nga parlamenti në Tbilisi në fillim të javës së kaluar, megjithë protestat masive nga dhjetëra mijëra qytetarë në Tbilisi.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, vuri dje veton ndaj ligjit të miratuar nga parlamenti. Presidentja, e cila konsiderohet si pro-evropiane, e quajti ligjin si “rus në thelb dhe frymë”. Megjithatë vetoja e saj mund të anulohet nga Parlamenti./DW
Rruga Press