Schallenberg: Austria duhet të jetë mes tri shteteve të para për investime në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejtë.
Ai, në një konferencë të përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të martën në Prishtinë, shtoi po ashtu se duhet të hapen edhe negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.
“Një gjë është e qartë. Vizita ime është bërë në këtë kohë qëllimisht, në rajonin që është shumë i rëndësishëm për Austrinë. Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të bëjë destabilizim të rajonit vetëm me një gjuajte. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE. Është i rëndësishëm edhe premtimi që është dhënë para 19 vitesh në Selanik. Duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të liberalizohen vizat për Kosovën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se “në samitin e radhës do ta shtrojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën”.
Schallenberg ka pohuar se Austria ka bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha rrafshet me Kosovën.
Sipas tij, Austria duhet të jetë mes tri shteteve të para për investime në Kosovë.
Schallenberg ka thënë se është i angazhuar që procesi reformativ i Qeverisë të vazhdojë.
Tha se ka biseduar më Gërvallen edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se është e natyrshme që në fund duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe njohje e ndërsjellë mes dy vendeve.
Rruga Press