Uncategorized

Sarrazin: Serbia s’mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Gjermania gjithmonë ka qenë e qartë që Serbia për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian duhet ta njohë Kosovën.

Sarrazin në një intervistë për “Nova.rs”, ka thënë se qëndrimin e Gjermanisë e ka bërë të qartë edhe kancelari Olaf Scholz në qershor të vitit të kaluar, kur ishte në vizitë në Serbi.

“Ne nga Gjermania gjithmonë kemi pasur një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve – kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e këtij procesi. Nuk do ta lidhja këtë me propozimin evropian, por është diçka që Gjermania sigurisht e pret dhe këtë e bëri të qartë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz kur e vizitoi Serbinë në qershor të vitit të kaluar”, tha Sarrazin.

Ai e ka vlerësuar situatën në veri të Kosovës ende të rrezikshme.

“Situata në veri të Kosovës, nga pikëpamja gjermane, ishte shumë e rrezikshme dhe është ende e rrezikshme. Kemi një situatë ku shërbimet themelore shtetërore, siç janë shërbimet e sigurisë, aktualisht nuk mund të ofrojnë siguri për serbët, por edhe për qytetarët tjerë të Kosovës. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të përshpejtohet procesi i kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Unë personalisht i kuptoj emocionet e serbëve nga veriu i Kosovës, por më e rëndësishmja edhe për ta është që bashkësia ndërkombëtare të bëjë çdo gjë për ta parandaluar përshkallëzimin. Është një nga arsyet pse e mbështesim Miroslav Lajçakun dhe BE-në që të kontribuojnë në shtensionimin e situatës në terren përmes dialogut Kosovë – Serbi. E kemi të qartë se ende nuk kanë përfunduar gjërat, por të paktën tensioni është dukshëm më i ulët se sa që ishte në dhjetor”, tha Sarrazin.

Emisari gjerman është pyetur edhe për propozimin franko-gjerman, që tashmë po njihet si propozimi evropian.

“Për ne – komunitetin ndërkombëtar, Lajçakun dhe të gjithë kolegët tanë që punojnë në propozimin evropian – është e rëndësishme që së pari të kemi një atmosferë besimi. Të gjithë besojnë se është më mirë që fillimisht të krijojmë atmosferë besimi dhe mirëkuptimi në të cilën liderët mund të flasin për këtë temë pa menduar se diçka do të publikohet. Në të njëjtën kohë, e kuptoj se për popullin në Serbi e Kosovë, kjo është temë e rëndësishme, jo vetëm për politikanët, por edhe për të ardhmen e dy vendeve, dhe nuk është publikuar edhe për këtë arsye propozimi. Debati publik reduktohet në disa thashetheme dhe informacione që shpeshherë nuk janë të sakta. E kuptoj interesimin, por u bëjë edhe thirrje njerëzve që të kuptojnë se është situatë delikate e të binden se është rruga e duhur”, tha Sarrazin.

Ai shtoi se nëse arrihet dakordim do të ishte hap i madh për gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Debati po zhvillohet në atë drejtim që dy liderëve, z. Vuçiq e z. Kurti, t’u jepet mundësia që të jenë më të qartë dhe të sinqertë në prezantimin e synimeve të tyre strategjike në dialog. Sigurisht, nëse arrihet deri te marrëveshje, nuk do të jetë fundi. Do të ketë ende shumë punë, por do të jetë hap i madh përpara dhe mendoj se do të përfaqësonte një mundësi të madhe për rajonin”, tha Sarrazin.

Ai ka thënë se idetë në Serbi që çështja e Kosovës të votohet në referendum, mund të jenë “mundësi por edhe rrezik”.

E sa i përket mosbesimit që ka treguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj Gjermanisë, Sarrazin ka thënë se njerëzve në Serbi duhet t’u thuhet qartë se “Gjermania është mike e sinqertë e tyre”.

“Njerëzve në Serbi duhet t’u thuhet qartë se Gjermania është mike e sinqertë e tyre. Natyrisht, ne kemi kuptime dhe pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës dhe për atë se si të përballemi me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Në disa rasti kemi treguar se nuk jemi të kënaqur me progresin e përgjithshëm demokratik në Serbi, por përkundër kësaj, ne jemi miq të sinqertë të Serbisë. Besimi ynë i fortë është se Serbia dhe BE-ja duhet të jenë bashkë dhe jam i bindur se edhe njerëzit nga Serbia e duan Gjermaninë”, deklaroi Sarrazin.

“E kam dëgjuar Vuçiqin që ka thënë këtë dhe sigurisht mund ta kuptoj që ai vë re dallimet tona në qëndrime. Por, nuk e di pse nuk mund të na besojë, sepse qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe i bazuar në vlerat që ne mbrojmë dhe si e shohim këtë rajon. Ai mund të jetë i sigurt në qëndrimin tonë. E kuptoj se ai nuk e pëlqen këtë, por në rregull. Ndonjëherë duhet të jetë kështu”, shtoi ai.

Sa i përket arritjes së një marrëveshje Kosovë – Serbi, ka thënë se Gjermania shpreson të arrihet jo shumë shpejt.

“Bashkësia ndërkombëtare, Gjermania e BE-ja po ushtrojnë presin të madh në Prishtinën që të hapë diskutimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, por mendoj se nuk është një mënyrë e mirë që kthimi në institucione i serbëve të kushtëzohet me Asociacionin”, theksoi Sarrazin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *