Sanksionet nuk do ta ndalin Putinin, ai po zbaton Doktrinën Breznjev
Nga Wolfgang Münchau “Spectator”
Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonyte, e tha shumë saktë të hënën:“Mënyra se si do të reagojmë ndaj agresionit rus do të jetë përcaktuese për brezat që do të vijnë”.Pushtimi i Ukrainës nisi mbrëmjen e së hënës me urdhrin e Vladimir Putin për të dërguar trupa në Ukrainën Lindore.
Ai kishte njohur më herët si republika të pavarura provincat separatiste në Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë së bashku rajonin e Donbasit. Dy shtetet e vetëshpallura e shpallën pavarësinë e tyre – një akt që as Kievi dhe asnjë vend tjetër i tretë përveç Rusisë nuk e ka njohur ende – pas vitit 2014 pas revolucionit të Maidanit.
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimit Evropian, thonë se do të vendosin sanksione ndaj Moskës. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, tha se Rusia do të përjashtohet nga tregjet financiare globale. Por ka zëra se gjermanët (e kush tjetër),kanë këmbëngulur në prapaskenë për të lejuar disa banka ruse të kenë qasje të vazhdueshme tek financat perëndimore.
Amerikanët dhe evropiano-lindorët po nxisin marrjen e masave gjithnjë e më të ashpra. Ndërkohë Berlini dhe Roma kërkojnë masa më të moderuara. Por siç është bërë e qartë më herët, sanksionet nuk do ta ndalin Putinin. Këtë e konfirmoi edhe fjalimi i Putinit ditën e hënë drejtuar kombit rus.
Në atë fjalim kishte një atmosferë çmendurie. Ai mbajti në thelb një leksion mbi historinë e rreme, mbi rolin e dukshëm të Leninit në krijimin e Republikës së Ukrainës, dhe se si Rusia u mashtrua në lidhje me zgjerimin e NATO-s.
Putin është një njeri që është angazhuar në një mision historik. Efekti i vetëm i imagjinueshëm i sanksioneve, është t’i shkaktohen aq shumë dëme Rusisë, saqë kjo do ta ndihmonte në mënyrë indirekte opozitën ruse. Por që kjo të funksionojë, sanksionet duhet të përfshijnë edhe gazin, eksportin kryesor të Rusisë.
Ndërkohë, shkëputja e Rusisë nga rrjeti i financave ndërkombëtare duhet të jetë e plotë. Por kjo gjë nuk do të ndodhë. Atëherë, çfarë dimë deri tani?Kryeministri holandez, Mark Rutte, kishte deklaruar tashmë se paketa e sanksioneve do të jetë e kufizuar.
Pra mos prisni një ndalim të gjithanshëm të tregtisë dhe financave ruse. Megjithatë, SHBA ka të ngjarë që ta bllokojë qasjen e rusëve në tregjet e dollarit. Uashingtoni mund të vendosë sanksione ndaj individëve. Ndërkaq, duhet pasur kujdes nga ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe drejtues të tjerë të “Nord Stream 2”.
Vetë kompania dhe dega e saj e re gjermane, mund të jenë në shenjestër të SHBA-së. A do të vendosë Uashingtoni sanksione ndaj një ish-kancelari gjerman? Tani për tani “Nord Stream 2”mund të cilësohet si një projekt i vdekur, pasi SHBA nuk do ta lejojë të nisë nga puna gazsjellësin e ri.
Por kjo është e parëndësishme për krizën aktuale të energjisë, pasi në të nuk kalon aktualisht asnjë sasi gazi. Çështja është nëse Uashingtoni do t’i shoqërojë sanksionet e veta me sanksione dytësore ndaj kompanive evropiane që u ofrojnë rusëve disa mënyra për të shmangur masat ndëshkimore.
Kjo duket se do të ndodhë, sidomos nëse republikanët do të arrijnë të fitojnë zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor të këtij viti. Është raportuar se Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar bashkë për ndalimin e eksporteve ruse.
Kur vendosen sanksionet tregtare, ekspertët përpilojnë një listë të gjatë me produkte. Zonat e prekura përfshijnë Inteligjencën Artificiale, lazerat dhe sensorët, mallrat në fushën e mbrojtjes me përdorim të dyfishtë, si dhe teknologjinë e hapësirës ajrore.
Sikurse tha zonja Von der Leyen, masat do ta bëjnë të pamundur që Rusia të modernizojë industritë e saj të vjetruara. Kjo pasi Rusia është e ndërvarur nga Perëndimi për këto mallra. Këtu duhet analizuar roli që do të luajë Kina. A do të jetë në gjendje Rusia të përballojë ndikimin e sanksioneve duke i zëvendësuar importet me ato që vijnë nga Kina?
Përgjigja është:Deri diku. Kina po luan një lojë të dyfishtë shumë interesante. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, u shpreh në një deklaratë publike se duhet të respektohet integriteti territorial dhe pavarësia e vendeve, dhe se kjo duhet të përfshijë edhe Ukrainën. Por nga ana tjetër, Kina do të bëjë me kënaqësi biznes me Rusinë. Vëllimi i tregtisë së Rusisë me BE-në është 174 miliardë euro. Tregtia e saj me Kinën është në nivelin e 147 miliardë eurove, por u rrit me 36 për qind vetëm vitin e kaluar. Shumica e vëllimeve tregtare të Rusisë me Evropën përbëhen nga gazi rus, që nuk do të jetë në listën e sanksioneve.
Moska s’do ta ketë të lehtë të mbyllë boshllëqet e teknologjisë së lartë përmes importeve kineze. Kina, vetë subjekt i sanksioneve të SHBA-së, po vendos kontrollin mbi disa nga monopolet teknologjike perëndimore.
Problemi nuk qëndron dhe aq tek vëllimet e tregtisë, por tek cilësia e tregtisë. Lista e sanksioneve mund të përfshijë teknologji, të cilat Rusia nuk mund t’i blejë lehtësisht nga Kina brenda një periudhe afatshkurtër. Rusia dhe Kina njoftuan së fundmi një marrëveshje dypalëshe për furnizimin me gaz.
Por ajo nuk shkoi aq larg sa kishte shpresuar Putin. Për Kinën, gazsjellësat rusë nënkuptojnë të kundërtën e asaj që nënkuptojnë për evropianët. Ato ijapin Kinës një burim shtesë të gazit, një diversifikim nga furnizuesit e saj ekzistues.
Kinezët janë deri tani lojtari më strategjik në kontinentin Euroaziatik. Ky konflikt do të forcojë edhe më tej sferën e dominimit të Kinës, dhe nuk është në të njëjtin nivel me luftërat e mëdha perandorake të shekullit të XX-të.
Përkundrazi, është një përpjekje e Rusisë për të krijuar një sferë ndikimi. Në një farë mënyre, Putini po vazhdon Doktrinën e Brezhnjevit të vitit 1968, sipas së cilës Bashkimi Sovjetik do të ndërhynte në vendet ku sundimi socialist ishte nën kërcënim.
Ajo ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj Pranverës së Pragës të atij viti, e cila u shtyp nga tanket sovjetike. Pastaj, kërcënimi i dezertimit në favor të Perëndimit u ndal me vendosmëri nga Moska.
Çështja është nëse Putin do të jetë në gjendje ta ndryshojë pjesën më të madhe të procesit të perëndimorizimit që ka ndodhur tashmë në të gjithë ish-shtetet satelite të saj satelitore. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/
Rruga Press