Samiti i Brdo-Brijunit nis sot në Durrës, Vjosa Osmani përfaqëson Kosovën
Qyteti bregdetar i Durrësit është sot qendra e zhvillimeve politike rajonale, ku po mbahet Samiti i Iniciativës Brdo-Brijunit, me pjesëmarrjen e liderëve më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti fokusohet në çështje kyçe si perspektiva evropiane e rajonit, zbatimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh, bashkëpunimi rajonal, si dhe politikat për rinë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.
Në samit pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.
Midis udhëheqësve të pranishëm do të jenë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçq, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Për Kosovën, një nga prioritetet mbetet zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së, i cili synon të sjellë investime dhe zhvillim ekonomik më të shpejtë për vendet e rajonit që avancojnë në reformat evropiane.
Samiti do të përfshijë një seancë plenare dhe një konferencë të përbashkët për shtyp mes Presidentit Begaj dhe homologëve të tij nga Sllovenia, Nataša Pirc Musar, dhe Kroacia, Zoran Milanoviç, të cilët janë edhe bashkëkryesues të Procesit të Brdo-Brijunit. Gjithashtu janë parashikuar takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Pritet që në përfundim të samitit të miratohen konkluzione të përbashkëta, të cilat synojnë të shërbejnë si një shtysë konkrete për rritjen e bashkëpunimit dhe përparimin në rrugën e integrimit europian për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Kjo iniciativë rajonale është themeluar në vitin 2013, me qëllim nxitjen e dialogut, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe afrimin me Bashkimin Evropian. Samitet mbahen çdo vit, dhe edicioni i fundit është mbajtur në Mal të Zi në vitin 2024, ku liderët u angazhuan për reforma, fqinjësi të mirë dhe agjendën e gjelbër.
Rruga Press

