Samiti i 6 dhjetorit, zbulohen disa prej marrëveshjeve që pritet të firmosen
Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të anëtarësimit në Union. Ata, po ashtu, pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.
Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“.
Draft-deklarata mirëpret edhe zbatimin e marrëveshjes për heqjen e romingut për telefoninë celulare në nivel të rajonit, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.
Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj sektorit të energjisë, infrastrukturës digjitale dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit.
Ky samit vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar, për këtë arsye pritet të flitet dhe për pasojat e saj.
Kujtojmë që ky Samit që është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin, po zhvillohet në një kohë kur klima politike në Tiranë nuk është e qetë. Kjo sepse po në 6 dhjetor, Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë dhe pavarësisht se Policia dhe Bashkia nuk i kanë dhënë leje, ai këmbëngul që protesta do zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Niveli i masave të sigurisë duket se do të jenë ‘të hekurta’, gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit.
Rruga Press