Editorial

Samiti BE-Ballkan Perëndimor: a ka ndonjë shpresë?

Nga Sébastien Gricourt / Drejtori i Observatorit të Ballkanit në Fondacionin Jean Jaurès

Samiti i 6 tetorit në Slloveni, BE-Ballkan Perëndimor përfundoi me një sens të shtuar të padurimit në lidhje me bllokimet në proceset e aderimit të gjashtë vendeve kandidatë. Ekziston një nevojë urgjente që plani ekonomik dhe i investimeve, i propozuar saktësisht një vit më parë, të materializohet – veçanërisht ngaqë është demonstrim i unanimitetit evropian për rëndësinë strategjike të rajonit.


18 vite pas angazhimit të tij për një perspektivë evropiane për Ballkanin në samitin e Selanikut, Bashkimi Evropian e ka përsëritur këtë premtim për vendet e mbetura të Ballkanit në qytetin slloven të Brdos, me të cilët ndan një “interes të përbashkët strategjik”. Por zgjerimi mbetet i kushtëzuar me aftësinë e BE -së për të “ruajtur dhe thelluar zhvillimin e vet”. Ky formulim ka meritën se zbut paksa fjalët më të ashpra që u përdorën prej presidentit francez Emmanuel Macron në samitin e majit të vitit 2018, kur ai i zbehu shpresat e parakohëshme midis partnerëve nga Ballkani dhe BE-së, duke e rindezur debatin e ashpër mbi thellimin e BE-së përpara çdo zgjerimi. Deklarata e Brdos sugjeron kështu se këto vërtet janë dy procese që mund të ecin paralelisht, i pari pa qenë kusht për të dytin.


Sidoqoftë, tundimi për t’i lidhur të dy do të mbetet i fortë. Prandaj ne duhet të jemi të vetëdijshëm për dëmin që i është shkaktuar kredibilitetit evropian nga paaftësia e vet Brukselit për të prodhuar transformimet e kërkuara në një rajon të cilit i ishte premtuar integrimi në BE. Me qasjen e saj të stabilizimit post-konflikt, e ndërthurur me qasje liberale ndaj reformave ekonomike, BE-ja ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për zhvillimin e “stabilokracisë”.


Sot, nuk janë vetëm fuqitë e treta si Rusia apo Kina që po përfitojnë nga dobësitë e ankorimit evropian të Ballkanit. Qeveritë e shteteve anëtare joliberale po shfrytëzojnë gjithashtu mundësitë e ofruara nga neglizhimi evropian i cilësisë së shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Serioziteti i kritikave kundër qëndrimit të njëanshëm të komisionerit evropian Oliver Varhelyi, të cilat u nxorrën sheshit përpara samitit, na kujton se Parlamenti Evropian u këshillua mirë kur skualifikoi kandidaturën e parë të propozuar nga Budapesti, në vitin 2019. Njëanshmëria e komisionerit, në linjë me atë të Viktor Orbanit, në favor të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, është një ilustrim i asaj çka minon kredibilitetin evropian. Ishte e njëjtë kur një non-paper u shpërnda në prill nga Sllovenia e Janez Janša, duke argumentuar në favor të ndryshimit të kufijve në Ballkan – një skenar që ne menduam se ishte evakuuar me fundin e epokës së Trump.


Kështu, prapa vështirësive të vendosjes së fjalës ‘zgjerim’ në deklaratën e Brdos, edhe pse shtetet anëtare ranë dakord njëzëri të njohin rëndësinë e Ballkanit, duket se ata po paguajnë për kohezionin e degraduar të Unionit. Si rezultat, janë ofruar disa vizione të BE-së për Ballkanin. Sidoqoftë, siç kancelarja në largim Angela Merkel solli në vëmendje gjatë vizitave të saj të lamtumirës në Ballkan, rajoni është bërë “interes absolut gjeostrategjik”.


Në këtë këndvështrim, plani ekonomik dhe i investimeve përbën një mundësi për ta ankoruar rajonin vendosmërisht në Union, me kushtin që lidhja mes shtetit të së drejtës dhe demokracisë të jetë dyanshëm e sinqertë. Në këtë drejtim dhe në mbështetje të këtij plani, kësti i tretë i Instrumentit të Ndihmës së Para-Antarësimit, i ndërthurur me metodologjinë e re për zbatimin dhe monitorimin e reformave, po zhvillon potenciale të reja, të cilat janë realiste vetëm nëse vullneti politik do të ekzistojë në të gjitha anët.


Duke pasuar një propozim slloven, samiti më kot mbajti 2030-n si datë të aderimit të gjashtë vendeve. Ç’kuptim ka të ofruarit e një date që gjeneron shpresa të reja, por zhgënjime të rinj poashtu, kur tashmë Brukseli e ka dobësuar besueshmërinë e fjalës së vet? Sidoqoftë, nëse do ta ruanim datën e 2030-s, le të punojmë që ta sjellim rajonin në vijë me përpjekjet tona të përbashkëta për klimën dhe për zhvillimin e qëndrueshëm, duke shfrytëzuar specifikisht potencialin e planit evropian. Kjo ofron ndoshta një levë shumë më transformuese dhe mobilizuese sesa vetëm procesi i antarësimit. Biles ky mund edhe të jetë plani i shansit të fundit.


Por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbajtur shpresën në Ballkan. Ndërkohë që BE-ja ndjek ritmin e vet të reformave institucionale, do duhet që ajo të demonstrojë se dera mbetet e hapur. Kjo nuk ka të bëjë me të vepruarit kësisoj vetëm përmes dialogut të rregullt politik apo veprimeve të kordinuara në lidhje me sigurinë, siç e shprehë deklarata e Brdos. Duket e domosdoshme që në mungesë të një date fikse për integrim të plotë, të bëhet i mundshëm antarësimi i pjesshëm i programeve apo fondeve evropiane. Në shoqërinë civile të Ballkanit ka shumë ide, sjellja e tyre në debatet e Konferencës mbi të Ardhmen e Evropës do të ishte e mirëpritur.


Ndërkohë, presidenca franceze e BE-së po ngre shumë pritshmëri, mbasi e njëjta Francë shkaktoi zhgënjime. Zhbllokimi i vetos bullgare mbi një mosmarrëveshje në lidhje me gjuhën dhe pakicën etnike, e cila po merr peng Maqedoninë e Veriut, dhe duke u shtrirë edhe për Shqipërinë, apo korrigjimi i absurditetit rreth Kosovës që nuk përfiton nga regjimi pa viza si vendet e tjera të rajonit, këto do të kërkojnë angazhime të forta. A do të jetë në gjendje Parisi të përmbushë këtë pjesë të shpresave të Evropës?

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *