Sallahu kërkon përjashtimin e kryeprokurorit Njazi Rexha nga rasti i Mitrovicës: Ka konflikt interesi, është bashkëshort i kandidates për këshilltare komunale nga PDK-ja
Ministri në detyrë i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, ka thënë se sapo ka nisur shkresën drejtuar U.D Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, nga i cili ka kërkuar që në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Njazi Rexha, të ndërmerrën këto masat që i numëroi si më poshtë:
“1. Të përjashtoni zyrtarin në fjalë, Kryeprokurorin Rexha, nga trajtimi i mëtutjeshëm i rastit, për shkak të ekzistimit të konfliktit të interesit, në përputhje me Nenin 19 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/l -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjithashtu, vlerësoj që përjashtimi i Prokurorit të rastit, ka bazë edhe në Nenin 43 të Kodit të Procedurës Penale NR. 08/L-032, meqë ekzistimi i konfliktit të interesit është një nga bazat e cekura në Kod për këtë përjashtim;
2. Të nxirrni vendim me shkrim për të marrë nën juridiksionin tuaj këtë rast, me qellim të zhvillimit efikas të procedurës si dhe për arsye të shmangies së konfliktit të interesit nga Zyrtari i lartpërmendur. (në përputhje me Nenin 20, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit); dhe,
3. Të shqyrtoni ankesën për shkeljen disiplinore të përmendur në këtë shkresë nga Kryeprokurori Rexha dhe të kërkoni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës fillimin e hetimeve disiplinore në përputhje me Nenin 12 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/L–057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe të ndërmerren hetimet e nevojshme për konstatimin lidhur me përgjegjësinë penale të zyrtarit në fjalë nga Neni 417 i Kodit Penal të Kosovës nr. 06/L-074.”




Rruga Press

