Sallahu: KEK-u fiton arbitrazhin ndërkombëtar kundër KEDS dhe KESCO. Kompensohet me rreth 9 milionë euro
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në bashkëpunim me Avokaturën Shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë, ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar në Zvicër kundër kompanive KEDS dhe KESCO.
Sipas Sallahut, në këtë proces gjyqësor, KEK-u ka qenë pala paditëse, ndërsa KEDS dhe KESCO palë të paditura për mospagesë të faturave të interesit për shfrytëzimin e energjisë elektrike gjatë viteve 2020-2024.
Me vendimin e arbitrazhit, KEDS dhe KESCO obligohen t’i paguajnë KEK-ut rreth 9 milionë euro në kompensim dhe për mbulimin e shpenzimeve të procedurës.
“Republika e Kosovës nuk po i ndalë fitoret në arenën ndërkombëtare, dhe ky është tregues që reflekton suksesin e qeverisjes sonë,” ka deklaruar Sallahu, duke shtuar se Kosova “do të aspirojë edhe më fuqishëm në mandatin tjetër, me rezultate që do të ndihen në të gjitha institucionet dhe në jetën e secilit qytetar.”, ka njoftuar Sallahu përmes një postimi në Facebook.
Rruga Press

