Sa shpenzojnë për turizëm në Shqipëri qytetarët më të varfër në Evropë?
Nga Agron Demi
2 shtator 2021
Nëse u besohet të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 70% e familjeve kosovare nuk arrijnë që të përballojnë një pushim njëjavor jashtë shtëpisë, kurse gjysma e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurosh. Në anën tjetër, sipas INSTAT-it, institutit të statistikave zyrtare të Shqipërisë, deri në fund të korrikut të këtij viti më shumë se një milion e treqind mijë kosovarë kanë hyrë si turistë në Shqipëri. Si mund të shpjegohet kjo?
Dy arsye të përafërta: shumë familje kosovare shkojnë për turizëm në Shqipëri më shumë se një herë në vit, si dhe diaspora kosovare, 400 mijë pjesëtarë të së cilës erdhën në Kosovë vetëm në muajin korrik, kalojnë një pjesë të pushimeve në Shqipëri së bashku me familjarët e tyre në Kosovë.
Vetëm në shtatë muajt e këtij viti më shumë turistë kosovarë kanë vizituar Shqipërinë se në 12 muajt e vitit 2020. Historikisht, sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin gusht edhe rreth 700 mijë kosovarë kalojnë pushimet në Shqipëri. Në kohën kur po publikohet ky shkrim, mbi dy milionë kosovarë kanë kaluar pushimet në Shqipëri. Më shumë se që ka Kosova popullsi zyrtarisht.
Po sipas INSTAT-it, kosovarët shpenzojnë rreth 43 euro në ditë apo nëntë euro më pak sesa mesatarja e të gjithë turistëve. Kosovarët kalojnë mesatarisht 3.8 net në Shqipëri apo 0.5 net më pak sesa mesatarja e të gjithë turistëve. Tetëdhjetë e një për qind e kosovarëve hyjnë në Shqipëri me vetura private, kurse 19% me autobusë. Mbi dy milionë turistë hyjnë në Shqipëri nga pika kufitare në Morinë. Duke llogaritur se 81% e kosovarëve hyjnë me vetura private nga pika kufitare në Morinë dhe nëse në secilën veturë janë mesatarisht katër persona, si dhe numri i autobusëve që hyjnë e të cilët paguajnë për rrugën më shumë sesa veturat, atëherë vetëm për pagesën e rrugës në Kalimash kosovarët shpenzojnë mbi pesë milionë euro.
Nëse në vitin 2019 kosovarët mesatarisht kanë shpenzuar 43 euro në ditë dhe kanë qëndruar 3.8 net në Shqipëri, dhe krahasojmë këto shifra me numrin total të turistëve kosovarë në Shqipëri, atëherë del se së paku 327 milionë euro hyjnë në ekonominë e Shqipërisë nga turistët kosovarë. Kjo përbën rreth 20% të të hyrave totale nga turizmi në Shqipëri, të cilat sillen rreth 1.7 miliardë euro.
Kontributi total i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë është 26%. Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, turizmi indirekt përbën 23% të punësimit në Shqipëri apo rreth 267 mijë vende pune.
Në anën tjetër, kapacitetet hoteliere mbeten ende të varfra. Sipas INSTAT-it, në vitin 2018 Shqipëria kishte 17 mijë dhoma për turistë, me gjithsej 38 mijë shtretër. Nëse i besohet kësaj shifre, atëherë është e pamundur që të akomodohen mbi gjashtë milionë turistë në vit. Por, me shumë gjasë ky numër i shtretërve dhe dhomave janë vetëm të dhënat e deklaruara dhe se ekziston informalitet i lartë në këtë sektor. Janë shumë të rralla rastet kur në Jug të Shqipërisë një turist mund të paguajë akomodimin apo edhe ushqimin me kartelë bankare.
Vetëm në vitin 2018 shteti ka dhënë 75 leje për ndërtimin e strukturave të reja hoteliere, apo shumë më shumë sesa që ishin dhënë leje në katër vjetët paraprakë së bashku (72 leje për vitet 2014 deri 2017). Ky trend i ndërtimeve vetëm është rritur viteve të fundit, me gjithë pandeminë. Këtë verë dhe verën e kaluar Shqipëria mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për turistët nga vendet e tjera, për faktin e mungesës së masave kufizuese ndaj pandemisë Covid-19.
Muajve të fundit është bërë debat i madh në Kosovë nëse angazhimi i kryeministrit të Shqipërisë për suksesin e nismës rajonale “Open Balkan” ka të bëjë me hapjen e Shqipërisë ndaj turistëve nga Serbia. Një frikë absurde e kosovarëve është duke marrë parasysh që shumë kosovarë turizmin dimëror e kalojnë pikërisht në pistat e skijimit në Serbi. Në të dhënat zyrtare të INSTAT-it, turistët nga Serbia nuk figurojnë askund, përderisa deri në fund të korrikut të 2021 Shqipërinë e kanë vizituar mbi 336 mijë turistë nga Maqedonia e Veriut e mbi 183 mijë turistë nga Mali i Zi.
Përderisa Shqipëria mbetet vendi i preferuar i turistëve nga Kosova, Kosova nuk është vend i preferuar për t’u vizituar nga shqiptarët e Shqipërisë. Në një anketë të zhvilluar nga KFOS-i në Prishtinë dhe OSFA në Tiranë, në vitin 2019, del se 88.7% e të anketuarve në Kosovë kanë vizituar Shqipërinë, kundrejt 31.6% e të anketuarve në Shqipëri. Sipas ASK-së, nga viti 2016 deri në vitin 2020 mesatarisht rreth 30 mijë qytetarë të Shqipërisë vizitojnë Kosovën, duke kaluar rreth 48 mijë net qëndrimi.
Por Kosova nuk ka bërë aq për të tërhequr turistët nga Shqipëria. Ajo në çka mund të investojë Kosova për të rritur numrin e vizitorëve nga Shqipëria është turizmi malor dhe ai dimëror. Shumë qytetarë nga Shqipëria janë të interesuar që të kalojnë pushimet dimërore në Kosovë, por Brezovica si qendër e vetme skijimi nuk ka kapacitete që të akomodojë një numër të madh turistësh, përderisa planet për ndërtimin e qendrës së skijimit “Borea” në Pejë kanë dështuar./Koha.net/