Sa do të zgjasë aleanca e autokratëve Rusi-Kinë?
Shkruan Hal Brands, Bloomberg
Diplomacia aspak diplomatike e Kinës është shndërruar në një problem strategjik për Pekinin, pasi ka armiqësuar shumë nga vendet që presidentit Xi Jinping mund të dëshironte t’i fuste në orbitë e tij. Por nuk janë vetëm demokracitë e shqetësuara, ato që po bëhen më të kujdesshme ndaj fuqisë kineze.
Ka që tani disa shenja delikate të tendosjes në marrëdhëniet e Kinës me Rusinë, aleatin e saj më të fuqishëm autokratik. Partneriteti Kinë-Rusi është jetik për të dyja vendet, ndaj mos shpresoni në një ndërprerje dramatike së shpejti. Gjithsesi, presidenti rus Vladimir Putin ka filluar ndoshta ta pyesë veten se sa e rrezikshme do të jetë për Rusinë një Kinë në ngjitje të pandalshme.
Në shumë aspekte, marrëdhëniet Rusi-Kinë nuk kanë qenë kurrë më të ngushta sesa sot. Të dyja vendet kanë zhvilluar disa stërvitje ushtarake të përbashkëta, me disa prej tyre që kanë synuar qartësisht të simulojnë luftimet kundër Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të saj.
Moska dhe Pekini kanë mbështetur shpesh, ose të paktën kanë shmangur kritikimin e njëra-tjetrën për çështje të ndjeshme si Ukraina, Tajvani dhe shtypja e Pekinit ndaj ujgurëve myslimanë në pjesën perëndimore të vendit.
Ndërkohë, bashkëpunimi ekonomik dhe teknologjik është i fortë, edhe pse asimetrik, duke pasur parasysh hendekun në rritje midis dy ekonomive. Rusia e lejoi kompaninë e madhe “Huawei Technologies Co” të ndihmojë në ndërtimin e rrjeteve të saj të telekomunikacionit 5G, duke lënë mënjanë shqetësimin se po i jepte Kinës leva të tepërta teknologjike.
Kina dhe Rusia kanë bashkëpunuar mbi një sërë projektesh mbrojtëse-industriale, që përfshijnë avionët luftarakë të teknologjisë së fundit, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe aftësi të tjera. Në fillim të këtij viti Kina dhe Rusia, e bënë më se të qartë rrezikun më të madh me të cilin përballet Uashingtoni:një luftë me dy fronte kundër të dyja fuqive autokratike, përmes 2 stërvitjeve ushtarake paralele, edhe pse me sa duket të pakoordinuara, në Ngushticën e Tajvanit dhe përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën.
Fuqia e kësaj marrëdhënie, është e rrënjosur në arsyetimin e saj strategjik. Si Rusia,po ashtu edhe Kina e konsiderojnë SHBA-në armikun e tyre kryesorë. Që të dyja e detyrojnë Uashingtonin që ta ndajë fokusin e vet strategjik, dhe të shqetësohet jo pak për një aleancë të mundshme midis dy armiqve të tij më të mëdhenj.
Të dy këto vende kanë një avantazh të madh ushtarak,për shkak të mos-mbrojtjes aktive të kufirit të tyre të gjatë dhe të përbashkët. Për pasojë, ekspertët që kanë parashikuar rënien e bashkëpunimit Kinë-Rusi,në mënyrë të përsëritur kanë vërtetuar se e kanë pasur gabim.
Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë. Që nga viti 2019, Moska ka marrë disa leksione jo shumë të këndshme mbi atë që do të thotë të jetosh nën hijen e një Kine të fuqishme dhe më agresive.
Tek e fundit,Rusia ka pësuar deri tani mbi 200.000 vdekje (dhe ndoshta më shumë sesa tregojnë shifrat zyrtare) për shkak të një pandemie që filloi në Kinë. Ndërkohë, siç shprehet ish-diplomati rus Alexander Lukin, Moska është jo pak e frustruar nga rekrutimi që Pekini u ka bërë disa shtetasve rusë si spiunë, përdorimi si mjete propagandistike i Instituteve të Konfucit dhe grupeve studentore brenda Rusisë, dhe nga tendenca e saj për të promovuar mediat kineze jashtë vendit duke kufizuar ndikimin e medias ruse në Kinë.
Pra, nga të njëjtat sjellje që po ashtu kanë acaruar shumë demokraci në botë. Madje ka pasur edhe incidente relativisht të vogla të shkaktuara nga diplomacia e“ujkut luftëtar”, duke ngritur pikëpyetjen nëse një Pekin i fuqizuar mund t’i ngacmojë njëlloj si miqtë po ashtu dhe armiqtë e përbetuar.
Problemi, thotë Lukin, është se “Pekini po vepron ‘me vendosmëri’ jo vetëm ndaj kundërshtarëve të tij, por ndaj të gjithëve:një sjellje e tillë është bërë një lloj manie, të cilën udhëheqësit kinezë ose nuk duan ose nuk janë në gjendje që ta ndalin”.
Nga ana tjetër ekzistojnë edhe probleme të tjera që vlojnë. Kohët e fundit zyrtarët rusë kanë qenë shumë dyshues ndaj Nismës kineze të Brezit dhe Rrugës. Dhe kjo sjelle ka kuptim, duke pasur parasysh se një nga qëllimet e projektit është ta kthejë pjesën më të madhe të Azisë Qendrore – ku Moska ka pasur prej kohësh një ndikim të madh – në një sferë të ndikimit të Kinës.
Përshkrimi që Xi i ka bërë së fundmi Kinës si një “fuqi pranë Arktikut”, nuk i pëlqen aspak Rusisë, e cila ka shumë pak interes që të ndajë me të tjerët ndikimin e saj në Arktik. Së fundi, ngritja e madhe ushtarake e Kinës, nuk po ndryshon vetëm ekuilibrin e fuqisë përballë SHBA-së, por po dëmton edhe atë që ishte dikur avantazhi asimetrik i Moskës në marrëdhëniet Kinë-Rusi.
Tani për tani, marrëdhënia personale midis Xi dhe Putin, duket se është e çimentuar nga një antagonizëm i përbashkët dhe intensiv ndaj Shteteve të Bashkuara. Është iluzore të mendosh se në një afat të afërt Uashingtoni mund t’ia dalë që të përçajë dy rivalët e tij.
E megjithatë, tensionet e sotme relativisht modeste, nënvizojnë dy sfida më të thella. E para është se Rusia nuk ëndërron të bëhet fuqia e vogël në një aks autoritar të dominuar nga Pekini; pasi ajo e sheh veten si një fuqi botërore që nuk merr urdhra nga askush.
Një partneritet që synon të godasë SHBA-në, funksionon mirë kur çekuilibri i fuqisë midis Kinës dhe Rusisë nuk është shumë i dukshëm. Por ai nuk do të funksionojë dhe aq mirë me kalimin e kohës, në rast se ky çekuilibër rritet, dhe nëse Pekini vazhdon që ta përdorë në mënyrë arrogante ndikimin e tij.
Së dyti, ndryshimet në marrëdhëniet ruso-kineze mund të jenë tepër vicioze. Në të kaluarën, periudhat e bashkëpunimit të ngushtë i kanë lënë shumë shpejt vendin mizorisë së dhunshme. Herë pas here nga vitet 1920 dhe deri në vitet 1940, Stalini e mbështeti qeverinë e Kuomintangut (nacionaliste) në Kinë.
Por në momente të tjetra, ai mbështeti rivalen e saj, Partinë Komuniste Kineze,madje zhvilloi edhe luftëra kufitare kundër saj. Në fundin e viteve 1950, Moska po mendonte që t’i jepte armë bërthamore aleatit të saj të ngushtë kinez, tanimë të sunduar nga komunistët e Maos.
Por një dekadë më vonë, ajo po zhvillonte kundër saj një luftë në kufi, dhe po merrte në konsideratë përdorimin e arsenalit të saj bërthamor kundër rivalit kinez. Sot ne jemi shumë larg një skenari të tillë. Por sa më shumë që Kina forcohet në arenën globale, aq më shumë mund t’i kujtojë Putinit – apo pasardhësit të tij – se miku i sotëm mund të jetë armiku i së nesërmes. /abcnews.al/
Shënim:Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare Henry Kissinger të Universitetit Johns Hopkins. Ai është bashkautor i librit “Leksionet e tragjedisë: Krijimi i shtetit dhe rendi botëror”.
Rruga Press