Kuriozitete

Sa antitrupa mjaftojnë për t’u imunizuar ndaj koronavirusit?

“Në lidhje me koronavirusin nuk e kemi arritur ende një stad të saktësisë në rezultate. Nuk e dimë saktë se çfarë duhet të matim me qëllim që të përcaktojmë vërtet nëse dikush është imunizuar apo jo. Antitrupat neutralizues luajnë me shumë gjasë një rol vendimtar, sepse e lidhin virusin që të mos infektojë qeliza të tjera. Por se sa i lartë duhet të jetë numri i antitrupave është ende e paqartë”, shprehet eksperti gjerman i imunologjisë, Carsten Watzl

Pas shërimit nga infektimi me koronavirus apo pas vaksinimit kundër COVID-19 krijohen antitrupa kundër proteinës majë të virusit.

SARS-CoV-2 e përdor këtë proteinë për t’u lidhur në qeliza dhe për të depërtuar në to. Nga kjo proteinë antitrupat mund ta dallojnë virusin, të fiksohen aty dhe ta bëjnë kësisoj të “kuptueshëm” për qelizat e sistemit imunitar.

Te vaksinat e tipit ARNm, si ato të zhvilluara nga kompanitë partnere “BioNTech”-“Pfizer”, studiuesit ishin të mendimit se të vaksinuarit janë të mbrojtur mbi 90 për qind nga virusi, porse pas variantit Delta, që është më infektues, kjo mbrojtje është më e ulët dhe virusi ia del që t’i infektojë njerëzit që kanë marrë vetëm vaksinën e parë.

Imunologu Carsten Watzl nga Instituti Leibniz i Universitetit Teknik të Dortmundit vlerëson për agjencinë gjermane “Deutsche Welle” se efektiviteti i vaksinës BioNTech bie në 88 për qind, kurse ai i vaksinave vektor si “AstraZeneca” nga 66 bie në 60 për qind.

Të dhëna nga Izraeli madje flasin për një mbrojtje vetëm prej 64 për qind me vaksinën BioNTech/Pfizer. Ministria gjermane e Shëndetësisë mendon për zbatimin e dozës së tretë të vaksinës.

Sprova Delta

Deri më tani, një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë marrë një apo nga dy doza vaksinash për t’u imunizuar ndaj varianteve të njohura të virusit. Por kjo nuk i përfshin të gjithë të vaksinuarit, thotë imunologu Watzl.

“Vetëm vaksina nuk të garanton që je i imunizuar. Vendimtare është që trupi ynë ta ketë krijuar mbrojtjen e duhur. Por këtë ende nuk mund ta matim mjaft saktë, deri më tani”, ka thënë ai për DW-në. “Në lidhje me koronavirusin nuk e kemi arritur ende një stad të saktësisë në rezultate. Nuk e dimë saktë se çfarë duhet të matim me qëllim që të përcaktojmë vërtet nëse dikush është imunizuar apo jo. Antitrupat neutralizues luajnë me shumë gjasë një rol vendimtar, sepse e lidhin virusin që të mos infektojë qeliza të tjera. Por, se sa i lartë duhet të jetë numri i antitrupave është ende e paqartë”, shprehet eksperti Watzl.

Roli i qelizave limfocite T

Jo vetëm antitrupat kanë rëndësi në luftimin e një infektimi. Nëse virusi ka depërtuar në trup, atëherë antitrupat nuk mund ta arrijnë më ngase nuk mbërrijnë në qeliza. Dhe kësisoj virusi shumohet.

“Për ta luftuar virusin, sistemi imunitar ka qelizat limfocite T. Ato janë në gjendje që të identifikojnë dhe eliminojnë qelizat e infektuara. Pra, ne sakrifikojmë disa qeliza të infektuara të trupit tonë që të mos lejojmë virusin të shumohet”, ka shpjeguar për Deutsche Wellen mjeku Watzl.

Këto mund të maten të dyja, por praktikisht është e vështirë të identifikohet numri i qelizave T. Ky test është i vështirë, por i vlefshëm, thotë ai.

“Vetëm antitrupat nuk të thonë patjetër diçka se sa i mbrojtur je. Mund të ndodhë që kam shumë pak antitrupa, e të infektohem me virusin, por përgjigja e qelizave T është aq e fortë, saqë nuk sëmurem rëndë”, shton Watzl për DWË.

Ka teste të ndryshme që i matin antitrupat kundër koronavirusit. Laboratorët normalisht kanë standarde të qarta që arrijnë nga një vlerë minimale tek ajo maksimale.

Mjeku mund të dallojë nëse vlerat janë në intervalin e lejuar, por në rastin e SARS_CoV_2 kjo nuk është përcaktuar saktë. Vetëm mund të thuhet me përafërsi. Vlerat e matura lëvizin nga më pak se njëqind në disa mijëra antitrupa.

“Nëse jam në çerekun e sipërm apo në gjysmën e sipërme, me gjasë kam një mbrojte të mirë imunitare. Por vlerën e saktë për këtë nuk mund ta them”, ka theksuar ai.

Nuk është e qartë gjithashtu se sa shpejt bie një nivel i këtyre antitrupave. Deri më tani dihet vetëm se me kohë ai bie.

“Kjo bëhet me dy faza. Po të shohësh vlerat menjëherë pas vaksinimit shfaqet nivel më i lartë i antitrupave. Në muajt e parë pas vaksinimit, kjo vlerë bie shpejt. Por në një moment të caktuar ndodh stabilizimi rreth një vlere të caktuar dhe ajo vazhdon të bjerë me ngadalë, këtë e njohim nga vaksinat e tjera dhe duket se është kështu edhe me vaksinën kundër koronavirusit”, thotë eksperti.

Më shumë, më mirë

Ka njerëz që janë vaksinuar me të dyja dozat e nevojshme dhe nuk kanë ose kanë shumë pak antitrupa kundër virusit. Këta persona, sipas të gjitha gjasave, nuk janë të mbrojtur nga virusi, paralajmëron Watzl.

Ai thotë për DW-në se ka shumë faktorë që çojnë drejt zhvillimit në një nivel të ulët të antitrupave. Mosha është një prej tyre, porse ndikon edhe sistemi i dobësuar imunitar që nuk funksionon dhe nuk mbron si duhet nga “sulmet” e jashtme.

Shpesh duhet dhënë një vaksinë e tretë, ashtu që trupi të fillojë të krijojë antitrupa.

“Pra, më shumë është më mirë”, ka konstatuar ekspertit Watzl./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *