Rutte kërkon të prodhohen më shumë armë dhe me çmim më të lirë
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka kritikuar ashpër kompanitë e armëve brenda aleancës së udhëhequr nga SHBA-ja të mërkurën, duke thënë se ato po prodhojnë shumë pak, teksa NATO-ja synon të mbështesë Ukrainën dhe të forcojë mbrojtjen e saj kundër Rusisë.
Në kohën kur vendet e NATO-s po përgatiten për presion të ri nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes, Rutte ka thënë gjithashtu se objektivi aktual prej 2% të prodhimit ekonomik nuk do të mjaftojë për të penguar sulmet në të ardhmen, raporton Reuters.
Rutte nuk ka treguar nëse ai mendonte se 3% duhet të ishte objektivi i ri, siç ka këmbëngulur Trumpi.
“Ne po prodhojmë jo mjaftueshëm, me çmime shumë të larta dhe dorëzimi është shumë i ngadaltë, kështu që industria e mbrojtjes duhet të bëjë më shumë ndërrime, duhet të vendosë më shumë linja prodhimi”, është shprehur Rutte pas një takimi dy-ditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.
Rutte ka bërë të ditur se disa vende të NATO-s po u drejtohen firmave të armëve të Koresë së Jugut sepse “kompanitë tona të mbrojtjes nuk po prodhojnë me shpejtësinë që ne kemi nevojë”.
Vendet në të gjithë aleancën ushtarake transatlantike kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes në vitet e fundit, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
NATO-ja vlerëson se 23 nga 32 anëtarët e saj do të përmbushin objektivin e saj për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen këtë vit, nga vetëm tre vende që e përmbushën objektivin që kur është vendosur në vitin 2014.
Rruga Press