Rusia thotë se nuk po ndërhyn në politikat e brendshme të Maqedonisë
Ambasada ruse në Shkup ka mohuar pretendimet për përfshirjen e Moskës në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Akuzat janë bërë nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili u shpreh se Moska po prodhon kërcënimet hibride më serioze në Ballkan dhe shtoi se ka informacione se Rusia po i përdor protestat në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut për qëllimet e veta.
“Ne hedhim poshtë akuzat e bëra ndaj vendit tonë. Rusia nuk ka ndërhyrë, nuk po ndërhyn dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë vendi, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e politikës së jashtme ruse”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.
“Ne respektojmë çdo zgjedhje të popullit maqedonas dhe jemi të përgatitur të vazhdojmë ta ndërtojmë bashkëpunimin tonë mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe barazisë”, thuhet në deklaratë.
Protesta të mëdha ka pasur ditëve të fundit në Shkup, për kundërshtimin e propozimit francezit për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se Bashkimi Evropian do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
Po ashtu në këtë propozim thuhet që Maqedonia e Veriut duhet të “nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.
Propozimi francez është mbështetur nga Bullgaria, e cila edhe vendosi të heq veton ndaj Shkupit për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 20202.
Partitë qeverisëse në Shkup mbështetin propozimin francez, por ai kundërshtohet nga opozita maqedonase e cila për çdo ditë po organizon protesta, të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë nëpër rrugët e Shkupit.
Rruga Press