Bota

Rusia ratifikon paktin me Korenë e Veriut që parashikon ndihmë të ndërsjellë ushtarake

Ligjvënësit rusë kanë ratifikuar të enjten një pakt me Korenë e Veriut që parashikon ndihmën e ndërsjellë ushtarake, një veprim që vjen një ditë pasi SHBA-ja konfirmoi dislokimin e 3,000 trupave të Koresë së Veriut në Rusi.

Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit, votoi me shpejtësi për të miratuar traktatin e “partneritetit gjithëpërfshirës strategjik” që presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në një vizitë në Phenian në qershor. 

Lexo më shumë  Gjykata e Hagës shpall në kërkim ndërkombëtar Netanyahun

Dhoma e sipërme pritet të veprojë ngjashëm së shpejti, raporton AP.

Pakti detyron Rusinë dhe Korenë e Veriut që të ofrojnë menjëherë ndihmë ushtarake duke përdorur “të gjitha mjetet” nëse ndonjëra sulmohet. 

Veprimi shënon lidhjen më të fortë midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se 3,000 trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi dhe po stërviten në disa lokacione, duke e quajtur masën shumë serioze.

Lexo më shumë  Seuli: Rusia, raketa kundërajrore Koresë së Veriut në këmbim të ushtarëve

Rusia dhe Koreja e Veriut kanë hedhur poshtë më parë pohimet e SHBA-së dhe aleatëve të saj se Pheniani i ka dhënë Moskës raketa balistike dhe miliona predha artilerie për përdorim në Ukrainë.

I pyetur në qershor nëse trupat e Koresë së Veriut mund të luftojnë përkrah forcave ruse në Ukrainë sipas paktit, Putin ka thënë se nuk kishte nevojë për këtë, por ai gjithashtu njoftoi për herë të parë se Rusia mund t’i sigurojë armë Phenianit.

YouTube player