Rusia pretendon se ka lidhur me rrugë tokësore Krimenë me Donbasin
Rusia pretendon se ka krijuar korridor tokësor mes Krimesë, territor që e aneksoi më 2014 nga Ukraina dhe Donbasit, rajon që përfshin republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, raporton agjencia ruse RIA Novosti të hënën.
Sipas RIA-s, këtë e ka konfirmuar nënkryetari i Krimesë, Georgie Muradov, i cili ka thënë se forcat ruse kanë pushtuar rrugën nga Krimea në Mariupol, e cila lidh gadishullin me republikat separatiste.
Pala ukrainase ende nuk i ka konfirmuar apo mohuar këto pretendime.
Agjencia ruse e lajmeve shkruan se ky korridor do të ofrojë një rrugë strategjike për lidhjen e ushtarëve rusë dhe rebelëve nga Donbasi, si dhe se do t’u mundësojë rusëve hyrjen në qytetet kryesore portuale përgjatë Detit Azov. Rusët theksojnë veçanërisht rëndësinë e faktit që Krimea do të lidhet me një rajon të fortë industrial dhe qytetin e Mariupolit, i cili është lider në Ukrainë në prodhimin e çelikut.
Sipas rusëve, krijimi i kësaj rruge tokësore duhet të ndihmojë edhe në dërgimin e pajisjeve humanitare për banorët e Donetskut dhe Luhanskut.
Në të njëjtën kohë, Kievi theksoi se forcat ruse bllokuan autokolonën me ndihma humanitare për Mariupolin e rrethuar, në të cilin më shumë se 2000 civilë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit dhe popullsia ka mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pa provokim.
Bota perëndimore i ka vënë sanksione Rusisë si kundërpërgjigje për këtë agresion, ndërkohë që edhe shumë media shtetërore ruse janë bllokuar si ta pabesueshme dhe si propaganduese të politikës së Moskës.
Rruga Press