Rusia planifikon ta sulmojë NATO-n “që ta testojë Nenin 5”, paralajmëron Gjermania
Shefi i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë ka paralajmëruar se agjencia e tij ka dëshmi “konkrete” se Rusia po planifikon një sulm ndaj territorit të NATO-s, ka raportuar gazeta londineze, “The Times”.
Bruno Kahl, shef në largim i shërbimit federal të inteligjencës së Gjermanisë (BND), ka thënë në një intervistë të rrallë se lidershipi rus më nuk beson se do të respektohet garancia e ndihmës së përbashkët e Nenit 5 të NATO-s – dhe se mund të mundohet ta testojë.
“Ne jemi fort të sigurt, dhe ne kemi dëshmi inteligjence që ta mbështesim këtë, se (pushtimi i plotë rus) i Ukrainës është vetëm një hap në rrugën e Rusisë drejt perënidmit”, ka deklaruar ai në një podkast për mediumin gjerman, “Table Briefings”.
Kahl ka thënë se “kjo nuk do të htotë se ne presim batalione të mëdha tankesh që do të marshojnë prej lindjes drejt perëndimit”.
“Ne po shohim se NATO-ja supozohet të testohet në premtimin e asistencës së saj të përbashkët. Ka njerëz në Moskë që nuk besojnë se ende funksionin Neni i pestë i NATO-s”, ka thënë Kahl.
Boris Pistoirus, ministër gjerman i Mbrojtjes, ka bërë më parë paralajmërime të ngjashme. Ai ka thënë vazhdimisht se Gjermania duhet të jetë “gati për luftë” deri në fund të dekadës.
“Për momentin, nuk mendoj ka mundësi të ketë një sulm rus”, ka deklaruar Pistorius vjet për gazetën “Tagesspiegel. “Ekspertët tanë llogarisin se kjo mund të jetë e mundshme brenda një periudhe prej pesë deri në tetë vjet”.
Kjo përllogaritje përkon edhe me vlerësimin e kërcënimit të publikuar vjet prej Shërbimit danez të Inteligjencës së Mbrojtjes. Kur të mbaron lufta në Ukrainë, Kremlini do të jetë në gjendje që të lirojë burimet e mëdha ushtarake që të luftojë në një vend që kufizohet me Rusinë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, thuhej në raportin danez të muajit shkurt.
Kahl, i cili pritet të bëhet ambasador i Gjermanisë në Vatikan, ka thënë se Moska synon ta kthejë NATO-n në kufijtë e viteve nëntëdhjetë, “ta shkelmojë” SHBA-në nga Europa dhe të zgjerojë ndikimin e saj me çdo mjet të mundshëm. “Duhet t’ia presim udhën kësaj që në fillim”, ka thënë ai.
Rruga Press

