Rusia, megjithatë, nuk fle!
Nga Adem DEMAÇI
RUSIA, MEGJITHATË, NUK FLE!
(2005)
Ne në Ballkan sikur e patëm lënë pak si në harresë Rusinë. Mirëpo, pavarësisht që Rusia, pas shpartallimit të rregullimit totalitar komunist, mori goditje të rënda, duke humbur territore të shumta të pushtuara, në pjesën evropiane e sidomos në pjesën aziatike, ajo, megjithatë, nuk fle!
Rusia, në “projektin” e kalimit nga komunizmi në kapitalizëm që ia la trashëgim Gorbaçovi, nuk u gjet bash mirë. Bëri gabime trashanike dhe situata i doli nga kontrolli në mënyrë të theksuar. Kjo ishte ajo periudha e Jelcinit e karakterizuar me krizë të udhëheqjes, me krizë të madhe ekonomike, me shpartallimin bukur të madh të Rusisë imperiale e deri te lufta e lodhshme me popullin liridashës Çeçen. Pastaj kriminaliteti dhe lëvizja mafioze morën përmasa të padurueshme. Shoqëria ruse u përça keq. Si zgjidhje për këtë gjendje katastrofike politike e ekonomike, popullsia e gjerë, e lodhur tej mase, me vetëdije, u pajtua me një diktaturë personale të udhëhequr nga një ish-oficer i lartë i KGB-së, z. Putini, i cili sidokudo dhe sadokudo, po arrin që të mbajë e të garantojë një siguri qytetare dhe të kënaqë kërkesat e një zhvillimi ekonomik sipas një varianti të kapitalizmit shtetëror.
Pra, Rusia nuk po dorëzohet në garën për të mbetur Fuqi e Madhe.
Në këtë vazhdë ajo u mundua dhe ende po mundohet që të mos lejojë që, Ukraina, dikur Republikë me ndikim në ish-Bashkimin Sovjetik, e cila qe pavarësuar, por pati mbetur nën ndikimin e theksuar rus, të mos shkojë aq larg, sa të kalojë në sferën e Evropës Perëndimore. Mirëpo, dëshirat politike janë diçka tjetër, kurse rrjedhat historike drejt pavarësisë së plotë të çdo populli në botë, janë diçka krejt tjetër.
Kjo çfarë po ndodh me Ukrainën sot, është një sfidë e rëndë për Rusinë si shtet i madh. Ndikimi i Bashkimit Evropian, me kthesën në Ukrainë, me një depërtim të thellë në ish-territorin rus, është një prishje e rëndë e drejtpeshimit politik midis Evropës Lindore dhe Evropës Perëndimore. Mirëpo ajo, tashmë, nuk ka zgjedhje tjetër përveçse të ruajë atë që i ka mbetur dhe të marrë masa që, aty ku e vlerëson se mund ta kthejë ndikimin e saj, të bëjë përpjekje për një gjë të tillë.
Në këtë vazhdë po bëhen përçapjet serioze të Rusisë që të afrohet me Turqinë, duke nënshkruar me të marrëveshje të mëdha në fushën e shkëmbimit tregtar dhe të një bashkëpunimi më të thellë dhe më afatgjatë ekonomik, kulturor e teknologjik.
E njëjta përpjekje ishte edhe vizita e paradokohshme e Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë në Shqipëri, z. Sergej Llavrovi. Edhe pse kjo nismë ruse, në Shqipëri u prit mjaftë ftohtë, Rusia ofroi një Traktat për Miqësi e Bashkëpunim afatgjatë të ndërsjellë. Me fjalë tjera, Rusia, përsëri po bën përpjekje për të dalë në detet e nxehta të Mesdheut, nëse është e mundur.
As Rusia, as përpjekjet e saj, nuk janë për t’u nënçmuar. Ekonomia e Rusisë, dalëngadalë po konsolidohet. Prodhimi i përgjithshëm rus për vitin 2004 do të rritet për 6,8%; inflacioni, për këtë vit, pritet të jetë jo më i madh se 11,6%; rezervat ruse të arit dhe të valutave konvertibile, në dhjetor janë 121,6 miliardë $ dhe për kah këto rezerva Rusia, kaloi nga vendi i shtatë në vendin e pestë në botë, duke dalë para Indisë me 119,4 miliardë $, dhe Hong Kongut me 119,5 miliardë $. Para Rusisë, në këtë pikëpamje, janë vetëm Japonia me 817,67 miliardë $, Kina me 514,54 miliardë $, Taivani me 346 miliardë $ dhe Koreja e Jugut me 192 miliardë $. Rezervat vjetore ruse po rriten me shkallën më të lartë në botë. Rezervat Japoneze, p.sh. janë rritur për 35%, kurse ato ruse për 72%!
Pra, megjithatë, Rusia nuk po fle!
Rruga Press