Rusia mbetet pa përfaqësues në Bienalen e Artit në Venecia
Venecia, 28 shkurt (ArtNews) – “Pavijoni rus do të mbetet i mbyllur”, kanë thënë organizatorët e pavijonit në një postim në Instagram.
Është përgjigjja e fundit nga institucionet në skenën e artit të Rusisë, disa prej të cilave kanë protestuar kundër pushtimit duke mbyllur ekspozitat e artit ose duke ndërprerë punën në shfaqjet e ardhshme. Muzeu i Artit Bashkëkohor, një institucion në Moskë që është ndër më të rëndësishmit e këtij lloji në Rusi, ka bërë të ditur këtë fundjavë se ka ndaluar përgatitjet për ekspozitat kushtuar Anne Imhof, Helen Marten dhe artistë të tjerë me famë ndërkombëtare. Ndërkohë, Ragnar Kjartansson mbylli një ekspozitë në Shtëpinë e Kulturës GES-2 në Moskë disa javë përpara se ajo të përfundonte.
Të dielën artistët Alexandra Sukhareva dhe Kirill Savchenkov, si dhe kuratori Raimundas Malašauskas kanë thënë në një postim të përbashkët në mediat sociale se situata politike që po shpaloset në Ukrainë kishte bërë që ata të largoheshin nga pavijoni rus. “Nuk ka vend për art kur civilët po vdesin nën zjarrin e raketave, kur qytetarët e Ukrainës fshihen në strehimore, kur protestuesit rusë po heshtin”, shkruan ata.
Në një deklaratë të veçantë, Malašauskas ka thënë se ai ndihej i paaftë për të vazhduar organizimin e pavijonit si një lituanez që kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik përpara shpërbërjes së tij më 1989. “Unë nuk mund të vazhdoj të punoj në këtë projekt në dritën e pushtimit ushtarak dhe bombardimeve të Rusisë kundër Ukrainës”, ka shkruar ai. “Kjo luftë është e padurueshme politikisht dhe emocionalisht”.
Bienalja lëshoi një lutje për paqe javën e kaluar, duke thënë: “Ne shprehim shpresën se diplomacia ndërkombëtare do të gjejë forcën për të ndjekur një zgjidhje të përbashkët paqësore në kohën më të shkurtër të mundshme”.
Rruga Press