Rusia kërcënon hapur Japoninë – Do të hakmerremi
RUSIA ka paralajmëruar Japoninë dhe ka kërcënuar me “masa hakmarrëse” nëse stërvitjet e përbashkëta detare me Shtetet e Bashkuara zgjerohen në kufijtë lindorë të Rusisë, shkruan CNN.
Ky kërcënim është vetëm një vazhdim i konfliktit Moskë-Tokio. Moska ka reaguar ashpërkundrejt faktit se Japonia i ka dhënë mbështetje të hapur Ukrainës dhe se po afrohet më shumë me vendet anëtare të NATO-s. Rusia dhe Japonia, në fakt, kanë marrëdhënie të pazgjidhura që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore për shkak të ishujve që atëherë u pushtuan nga forcat sovjetike.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Igor Morgulov tha të martën se stërvitjet detare amerikano-japoneze ishin “në natyrë potencialisht ofenduese”, sipas një raporti të agjencisë shtetërore të lajmeve ruse RIA-Novosti.
“Ne i shohim veprime të tilla të palës japoneze si një kërcënim për sigurinë e vendit tonë”, tha Morgulov. “Nëse një praktikë e tillë përhapet, Rusia do të marrë masa hakmarrëse në interes të forcimit të aftësive të saj mbrojtëse”.
Megjithatë, ai nuk specifikoi se për cilat stërvitje amerikano-japoneze po fliste, as nuk deklaroi në mënyrë eksplicite se si mund të duket hakmarrja ruse./Index.hr
Rruga Press