Bota

Rusia ka përdorur armë kimike 11,000 herë – 3,000 ushtarë ukrainas të prekur

Që nga fillimi i agresionit të plotë të Rusisë kundër Ukrainës, janë dokumentuar rreth 11,000 raste të përdorimit të agjentëve kimikë nga forcat ruse, duke shkaktuar 3,000 raste ekspozimi tek ushtarët ukrainas.

Këtë e bëri të ditur Drejtoria e Mbrojtjes CBRN (kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore) e Forcave Mbështetëse të Ushtrisë së Ukrainës në një konferencë për shtyp të organizuar nga Ukrinform.

Kolonel Artem Vlasiuk, shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile pranë CBRN, tha se armiku ka përdorur kryesisht granata lotsjellëse K-51 dhe RGVO, si dhe pajisje shpërthyese të improvizuara të mbushura me klor dhe amoniak. Sipas tij, përdorimi i këtyre substancave shënohet më shpesh në sektorë ku trupat ruse hasin vështirësi për të thyer mbrojtjen ukrainase.

“Këto substanca shërbejnë për të ‘nxjerrë jashtë’ mbrojtësit tanë nga pozicionet, llogoret dhe strehimoret, për t’ia lehtësuar armikut pastrimin e tyre,” – theksoi Vlasiuk.

Deri tani, mbi 3,000 raste të helmimeve dhe lëndimeve të shkaktuara nga kimikatet janë regjistruar nga shërbimet mjekësore, edhe pse viktima fatale nuk janë konfirmuar ende, pasi çdo incident kalon në një proces të plotë verifikimi.

Lexo më shumë  VIDEO/ Historia rrëqethëse e 11-vjeçarit ukrainas prek Evropën: I thashë lamtumirë nënës nën rrënoja

Ndërkohë, Ihor Diak, komandanti në detyrë i Forcave të Mbrojtjes CBRN, paralajmëroi se numri i vërtetë i të prekurve mund të jetë më i madh. Ai shpjegoi se disa raste nuk dokumentohen për shkak të pamundësisë për të evakuuar në kohë ushtarët e ekspozuar.

Më 15 shtator, Ukraina shënoi Ditën e Specialistëve të Mbrojtjes CBRN. Kujtojmë se më herët inteligjenca ushtarake ukrainase kishte kapur një urdhër nga një komandant rus për të përdorur armë kimike kundër trupave ukrainase.

YouTube player