Rusët kanë vizituar Iranin të paktën dy herë për të ekzaminuar dronët për sulm
Një delegacion rus ka vizituar një aeroport në Iranin qendror të paktën dy herë në muajin e fundit për të ekzaminuar dronët e aftë për armë, sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe imazheve satelitore të marra ekskluzivisht nga CNN.
Irani ia prezantoi Rusisë dronët Shahed-191 dhe Shahed-129, të njohur gjithashtu si UAV (Unmanned Aerial Vehicles) ose Mjete Ajrore pa Pilot, në aeroportin Kashan në jug të Teheranit në qershor, thanë zyrtarët amerikanë për CNN. Të dy llojet e dronëve janë të aftë të mbajnë raketa të drejtuara me saktësi.
“Ne kemi informacione se qeveria iraniane po përgatitet t’i sigurojë Rusisë disa qindra mjete UAV, duke përfshirë UAV-të e aftë për armë”, tha Sullivan në një deklaratë për CNN.
“Ne vlerësojmë se një delegacion zyrtar rus së fundmi ishte në këtë prezantim të UAV-ve iraniane të aftë për sulm”, shtoi Sullivan.
“Ne po publikojmë këto imazhe të kapura në qershor që tregojnë UAV-të iraniane që delegacioni i qeverisë ruse pa atë ditë. Kjo sugjeron interesin e vazhdueshëm rus për blerjen e UAV-ve iraniane të aftë për sulm”.
Sullivan tha se në dijeninë e SHBA-së, vizita e qershorit “ishte hera e parë që një delegacion rus vizitonte këtë aeroport për një prezantim të tillë”. Një delegacion rus vizitoi sërish aeroportin për një ekspozitë të ngjashme më 5 korrik, thanë zyrtarët.
Rruga Press